Al Gore, ish sekretari amerikan i shtetit, në ligjëratën e tij për çmimin Nobel në Oslo në dhjetor 2007 pat thënë: “Në shkronjat Kanji të përdorura si në gjuhën kineze apo edhe në atë japoneze, fjala” krizë “shkruhet me dy simbole, kuptimi i parë është “rrezik” dhe e dyta “mundësi “. Mu dukën aq me vend këto fjalë, tek rastisa t’i lexoj ndër dhjetra faqe lajme mbi Covid-19, dhe unë sot zgjodha të fokusohem pak tek e para “kriza’, e më shumë tek e dyta” mundësia”.
Në çështjen e disa javëve, konteksti ynë u zhvendos në mënyra të pabesueshme, bota po jeton me të papriturat zinxhir të një një krize sfiduese! Pandemia e koronavirusit po merr jetë dhe po shkatërron ekonomi, po zbulon dobësitë e sistemeve kombëtare të kujdesit shëndetësor, ka c’orientuar shkollat, universitetet, bizneset, jetën shoqërore dhe po hedh dritë mbi paaftësinë e disa udhëheqësve politikë për të menaxhuar situatën.
Kjo krizë na kujton se duke jetuar në këtë planet të vogël tonin jemi të gjithë sa përgjegjës dhe përfitues, jemi nën të njëjtin qiell-cati, ndajmë të njëjtin hall-si një familje e madhe, jemi të ndërlidhur dhe të ndërvarur – dhe mbi të gjitha kemi nevojë për njëri-tjetrin.
E vërteta është se çdo krizë, megjithëse është thellësisht shqetësuese, përmban edhe farat e mundësive dhe risive. Kur përballemi me një lloj krize si kjo që kalojmë sot, duhet të kujtojmë tre gjëra:
Së pari, si ta përballojmë këtë krizë tani? Kjo pyetje është më e rëndësishmja në mendjen e njerëzve – ashtu siç edhe duhet të jetë – dhe gjithashtu ka tendencë të dominojë lajmet.
Së dyti, a është kjo një mundësi për ndryshim? Cfarë mundësish krijon kjo krizë? A është koha të flasim për to?
Së treti, cfarë mund të bëhet për të parashikuar krizat në të ardhmen dhe përgatitjen e tyre?
Edhe nëse nuk është e mundur të parashohësh një krizë në të ardhmen, si mund të përgatitemi të reagojmë shpejt dhe me efektshmëri?
Ndërsa shumica e njerëzve përqendrohen vetëm në pyetjen e parë, e cila ka të bëjë me mbijetesën e menjëhershme, unë mendoj se tashmë ka ardhur koha të shikojmë mundësitë per inovacion dhe transformim dhe të ofrojmë zgjidhje efektive për veten dhe shoqërinë.
Transformimi dixhital nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm dhe më present se tani. Në këto javë kemi parë që kjo krizë i “detyroi” mësuesit, pedagogët dhe studentët të jenë virtualisht aktiv, dhe gati profesionistë të mësimdhënies digitale duke zhvilluar matematike, kimi, vizatim apo duke shpjeguar makroekonomi dhe tregje finaciare.
Po kështu, transformimi digital përfshiu dyqane rrobash online, bare, restorante me shërbim në familje, fermerët po shesin prodhimet e tyre në internet, sigurisht që kjo përfshin vetëm një numër të vogël në krahasim me shumë njerëz që nuk kanë sot njohuri teknike ose ekspertizë për të ndërmarrë një tregti elektronike, por u kthye nw mundwsi dhe po ndodh.
Kjo është një kohë për të qenë më produktivë duke përvetësuar aftësi të reja, si njohja e platformave dixhitale dhe vebbinars, përmirësimi i një gjuhe të re ose një instrumenti muzikor. Është kohë për të parë dokumentarë historikë, shkencore, apo ato tw naturws.
Shumë prej nesh iu rikthyen librave të lënë mënjanë, thirrjeve për grante kërkimesh shkencore, shkrimit të artikujve shkencore.
Kjo është një kohë, e ndër të rradhat deri më tani, ku dija dhe kultura qytetare kanë zënë vend në ekranet televizive dhe mediat sociale. Është koha kur dëgjojmë të flasin më shumë mjekë, ekonomistë, sociologë…është kohë dhe mundësi për të ndryshuar!
Eksperimentimi dhe inovacioni janë tashmë të domosdoshëm. Ne duhet të jemi inovator në gjithçka që bëjmë, por sigurisht nuk mund të bëjmë gjithçka menjëherë. Duke pasur parasysh paqartësitë gjatë kesaj krize, mënyra e vetme që mund të jemi inovatorë është minimalisht të përmirësojmë metodologjikisht dhe konceptualisht, vazhdimisht- atë që bëjmë.
Kjo mund të arrihet vetëm përmes eksperimentimit të vazhdueshëm. Të gjithë duhet të mendojmë se si gjërat mund të bëhen ndryshe dhe më mirë, ndërsa po përpiqemi ti bëjmë.
Secili në mënyrën dhe mundësinë që ka duhet të eksperimentojë, dhe mbi të gjitha, le të mësojmë edhe nga eksperimentet e sukseshme që po ndodhin përreth nesh…