Ideja se konsumimi i cigareve, veçanërisht atyre elektronike, mund të ndikojë për keq në shëndetin e të infektuarve me Covid-19 është kthyer në temë shumë të përfolur javët e fundit dhe ka nxitur reagimin e ashpër të kompanive të cigareve.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio fajësoi, disa ditë më parë, industrinë e cigareve elektronike për vdekjen e një 22-vjeçari të infektuar me Covid-19.
“Ne mendojmë se fakti që ai pinte cigare elektronike, ndikoi,” u shpreh De Blasio, duke komentuar vdekjen e 22-vjeçarit pa sëmundje shoqëruese.
Por grupe të financuara në mënyrë indirekte nga kompanitë e cigareve si Philip Morris International, prodhues i cigarvee Marlboro dhe cigareve elektronike IQOD, dhe prodhuesi tjetër i cigareve elektronike Juul Labs po kundërsulmojnë këtë qëndrim të kryebashkiakut.
Mesazhet që këto firma po shpërndajnë nëpër media kundërshtojnë paralajmërimet e ekspertëve të shëndetit publik se pirja e duhanit i vendos njerëzit në rrezik më të madh për simptoma më të rënda të Covid-19.
Dy ditë pas deklaratës së de Blasios, The Global State of Tobacco Reduction Harm, një grup që mbështet përdorimin e cigareve elektrike në të gjithë botën, hodhi poshtë “thashethemet e pabazuara” për lidhjet midis cigareve elektronike dhe koronavirusit, dhe “provave të kufizuara” që lidhin përkeqësimin e simptomave të Covid me pirjen e duhanit.
Këto postime të sponsorizuara, që po përhapen me shpejtësi, mund të ndikojnë për keq jo vetëm në shëndetin publik, por edhe në ekonominë globale, tha Michél Legendre, një avokat publik për përgjegjshmërinë shoqërore të biznesit dhe kritik i vazhdueshëm i Philip Morris dhe kompanive të tjera të mëdha të cigareve.
“Ne jemi në mes të një pandemie ku informacioni dhe koha janë me shumë rëndësi. Nuk është koha dhe momenti që të vësh mjekë dhe zyrtarë të tjerë publikë të zgjidhin këtë rrëmujë të dezinformimit,” tha Legendre.
Zyrtarët e shëndetit publik dhe shkencëtarët pranojnë se studimi i koronavirusit është ende në fillimet e tij. Po në këtë fazë janë edhe studimet për cigaretet elektronike, të paktën krahasuar me pirjen e duhanit në mënyrën tradicionale, me djegie.
Por shumë thonë se provat ekzistuese nga sëmundje si tuberkulozi, bronkiti dhe pneumonia janë mjaft të forta dhe mbështesin qëndrimin e mjekëve që nuk e rekomandojnë këtë lloj cigareje.
Sipas mjekëve, çdo gjë gjë që i bën mushkëritë më pak të shëndetshme, do të dobësojë shanset për të mbijetuar kundër një virusi vdekjeprurës respirator si Covid-19.