Ajo që exit.al paralajmëroi, dje, se mund të ndodhte, në fakt ndodhi. Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues Qemal Stafa, mori pjesë vetëm një kompani.
Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare Alb-star shpk me qendër në Fier. Kompania nuk ka asnjë përvojë sado pak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji.
Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama. Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qëndër tregtare e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të Federatës.
Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës, dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze, e aq më pak kompani të huaja.
Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin, dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar.
Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare.
Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive—fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive,— dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj. e cila do të jetë në pronësi private.
Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ja kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive.
Duke lënë mënjanë anën ligjore, formula që ka zgjedhur Federata dhe qeveria është novacion shqiptar, e padëgjuar dhe, aq më pak, e provuar më parë në botë.
Kjo lloj formule financimi është zgjedhur edhe pse ekzistojnë të gjitha fondet për financimin e stadiumit. Federata ka marrë nga UEFA rreth 10 milionë euro për ndërtimin, qeveria ka premtuar gjtihashtu 10 milionë euro, ndërkohë që miliona euro të tjera do të merren si shpërblim për kualifikimin në France 2016. Ndërkohë, kosto e ndërtimit të stadiumit të ri, me kapacitet rreth 22 mijë vende, vlerësohet rreth 25 milionë euro.
Tjetërsimi i stadiumit Qemal Stafa në pronësi private, për qëllime biznesi, është një aferë e gjatë e nisur nga qeveria Berisha, por e finalizuar plotësisht nga qeveria Rama. Procedurat e realizuara nga qeveria Berisha për kalimin e stadiumit nga pronësi shtetërore në një kompani të përbashkët federatë-qeveri ishin krejtësisht të paligjshme. Ndërsa të gjitha procedurat që po zbaton qeveria Rama për prishjen e stadiumit ekzistues dhe ndërtimit të një stadium të ri, me shumë gjasa, janë procedura kriminale.
Artikulli i mëposhtëm, që botuam dje, përshkruan në detaje aferën e paligjshme të tjetërsimit të stadiumit Qemal Stafa.
Stadiumi i ri Qemal Stafa – stadium për publikun apo skemë kriminale grabitjeje?