Megjithë pandeminë globale, Ministri i Turizmit Blendi Klosi deklaroi më 24 prill se turizmi do të jetë industria e parë që do të injektojë para në ekonominë e vendit.
Pavarësisht parashikimeve të FMN-së, të cilat e shohin industrinë e turizmit si më të goditurën, Klosi tha se Shqipëria është e favorizuar nga çmimet e ulëta.
Klosi deklaroi se Shqipëria ka gjasa ta nisë sezonin turistik me shpejt se vendet e rajonit:
“Të gjitha gjasat janë që sektori tek ne të hapet më shpejt se rajoni. Jam optimist, duke parë energjinë që ka turizmi në Shqipëri, i kemi mundësitë që të bëjmë një lëvizje të shpejtë në treg.”
Sipas tij, turistë nga vende pak të prekura nga Covid-19, si Çekia e Ukraina kanë shprehur interesin për të pushuar në Shqipëri dhe po shikohen mundësi transporti me çarter, nën masa të rrepta të distancimit fizik:
“Në fund të muajit maj ose fillim qershori nëse gjërat shkojnë kështu siç mendojnë se po shkojnë do të fillojnë Charter-at e parë me udhëtim të dedikuar dhe me kontrolle shumë strikte me turistë të huaj dhe me kontroll të madh të higjienës, distancimit social. Do të jetë një turizëm i vështirë, por edhe një turizëm që do të fillojë të mbajë të gjithë sistemin e turizmin”.
Plani e ndihmës ekonomike të qeverisë për turizmin, parashikonte dhënien e një page të vetme prej 40 mijë lekësh, për rreth 10 mijë të punësuar, edhe pse industria e turizmit në vitin 2017 punësoi të paktën 9-fishin e këtij numri.
Kur u pyet për mospërputhjen, Klosi tha se masat e lehtësimit financiar zbatoheshin vetëm për njerëzit që, më 12 mars, ishin regjistruar si punonjës të hoteleve. Ai nuk e trajtoi faktin që industria e turizmit kryesisht operon përmes punëtorëve sezonalë, të cilët akoma nuk do të kishin qenë të punësuar në mars, por që do të preken nga pasojat e pandemisë në muajt në vijim.