8 propozimet e deputetit Blushi

8 propozimet e deputetit Blushi

Deputeti socialist Ben Blushi ka bërë sot publike, tetë parime në formë amendamentesh, që do t’i propozojë për miratim në Kongresin e PS-së, që do të thirret më 19 mars.

Sipas Zotit Blushi “miratimi i këtyre parimeve në formën e amendamenteve vijnë nga nevoja për një Reformë Politike, nisur nga shkeljet e shumta dhe të papërligjura që i janë bërë Statutit të Partisë Socialiste dhe nisur nga besimi se Partia Socialiste mund të funksionojë në mënyrë demokratike, duke përshtatur praktikat më të përparuara të partive evropiane.”

Tetë parimet që ai propozon janë:

1. Shteti social — PS duhet të përcaktojë se mbi çfarë parimësh qëndron, cilat janë shtresat e shoqërisë që mbron me politikat e saj. Ajo duhet të angazhohet që të mbroje pluralizmin politik, shtetin social, mirëqënien, drejtësinë.

2. Primaret — zgjedhja e kandidatëve të partisë për në zgjedhjet e përgjithshme apo lokale të bëhet përmes votimit paraprak (primar) brenda partisë.

3. Kufizimi i madateve — mandati i kryetarit të partisë dhe kryetarëve të bashkive të të kyfizohen në vetëm dy. Kjo gjë do rriste mundësinë për konkurrencë dhe ndryshim brezash brenda një grupi politik që rinovohet përmes votës.

4. Papajtueshmëria e mandateve — me përjashtim kryetarit të partisë që mund të jetë njëkohësisht kryeministër, askush tjetër nuk mund të mbajë më shumë se dy mandate, pra një në parti dhe një tjetër në qeveri.

5. Sindikatat — PS duhet t’i ftojë përfaqësitë e sindikatave të kenë deri në 10 për qind të kuorumit të kongresit të saj.

6. Financimet — duhet të sanksionohet në statut detyrimi për të refuzuar çdo financim anonim. PS duhet të publikojë rregullisht në faqen e saj emrat dhe sasinë e donacioneve.

7. Etika — duhet të përcaktohet qartë në statut, se asnjë njeri me rekorde kriminale nuk lejohet të jetë anëtar i Partisë Socialiste apo përfaqësues i saj në çdo nivel të administratës publike dhe parlament.

8. Lista e antarësisë — regjistri i anëtarësisë duhet të jetë i hapur dhe i publikuar online në faqen e partisë.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>