Lëvizja Vetëvendosje: Transparencë përse Behgjet Pacolli shmangu karantinimin në Tiranë

Nga Exit News
Lëvizja Vetëvendosje: Transparencë përse Behgjet Pacolli shmangu karantinimin në Tiranë

Boiken Abazi, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë transparencë lidhur me karantinimin në Tiranë të Behgjet Pacollit, kreut të Aleancës Kosova e Re.

Behgjet Pacolli ka mbërritur në Tiranë mbrëmjen e 28 prillit nga Zvicra.

Fillimisht, ai ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të lejohet të fluturojë me avionin e tij privat dhe më pas të shmangë karantinimin 14 ditor në ndërtesën e përcaktuar nga qeveria.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë leje Pacollit të fluturojë me avion privat por jo të shmangë karantinimin, protokoll ky i rekomanduar nga OBSH dhe i aplikuar nga çdo shtet për çdo qytetar që vjen nga jashtë.

Pas këtij vendimi të qeverisë Kurti, Pacolli ka vendosur të fluturojë nga Zvicra për në Shqipëri.

Këshilltari i tij, Naim Murseli, ka konfirmuar se Pacolli ndodhet në Tiranë, në apartamentin e tij dhe jo në hotelet e vendosura nga qeveria për karantinim.

Ministria shqiptare e Shëndetësisë nuk ka bërë asnjë koment apo sqarim se përse Pacolli nuk është karantinuar si gjithë të kthyerit e tjerë.

Përfaqësuesi i LVV-së në Tiranë Abazi i kërkon ministrisë të sqarojë ngjarjen dhe arsyet përse po aplikohen standarde të dyfishta për ata që kthehen nga jashtë:

“Pse vendosen standarde të dyfishta për riatdhesimet? Pse qytetarë, që nuk janë multimilionerë si Pacolli, lihen me ditë nën qiell të hapur në mes të kufirit Shqipëri-Greqi, ndërsa multimilionerët si Pacolli lejohen të ulen me avion privat në Rinas pa asnjë transparencë dhe shpjegim.

Autoritetet e Shqipërisë, duhet ta bëjnë menjëherë transparente zyrtarisht nëse Pacolli gjendet ende ne territorin e Republikës së Shqipërisë, duke treguar edhe për masat e karantinimit ndaj tij, në emër të shëndetit publik!”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>