Qeveria ka shpallur, më 27 prill, tenderin për ndërtimin e një segmenti të rrugës që lidh qytetin e Durrësit me portin e karburanteve në Porto Romano.
Segmenti rreth 2,1 kilometra, me një korsi, do të kushtojë rreth 5,5 milionë euro, çfarë nisur nga terreni fushor dhe pa asnjë vështirësi duket si kosto e lartë. “Terreni ku do të ndërtohet rruga është tërësisht fushor, pa disnivele të ndjeshme,” shpjegohet në dokumentat e tenderit.
Rruga e gjatë rreth 8,3 kilometra lidh Shkozetin, në dalje të Durrësit më zonën industriale të Porto Romanos në veri të Durrësit.
Ndërtimi i saj ka filluar që në vitin 2008, por punimet janë zvarritur për shkak të vështirësive të hasura me shpronësimet veçanërisht në zonën periferike të Durrësit dhe atë të njohur si “Këneta”.
Dy segmentet e para të rrugës kanë një gjatësi prej rreth 6,2 kilometra. Segmenti i tretë përfshin kilometrat e fundit të rrugës dhe pjesën brenda zonës industirale të Porto Romanos.
Porti i Porto Romanos është port i kushtuar vetëm për importin dhe eksportin e karburanteve, i cili përdoret nga importuesit e mëdhenj të karburanteve. Rruga do t’u shërbejë kryesisht kompanive importuese të naftës, disa prej të cilave kanë depozitat të mëdha në terminalin e Porto Romanos.
Investim në këtë periudhë krize ngjall dyshime të mëdha në një kohë kur qeveria ka anulluar të gjitha tenderat jo të domosdoshëm dhe ata që nuk kanë lidhje me përballimin e krizës së koronavirusit dhe pasojave të tërmetit të vitit 2019.
Për këtë aryse, mund të mendohet se investimi është nxitur nga lobimi i tregtarëve të naftës, edhe pse ai nuk është investim prioritar nga pikëpamja e interesit publik.