Fallcoja si themel i shoqërisë shqiptare

Nga Carloalberto Rossi
Fallcoja si themel i shoqërisë shqiptare

Avokati Gentian Alimadhi, për të cilin ndjej respekt dhe miqësi, në përfundim të një analize të vlefshme sociologjike të realitetit politik shqiptar, beson se për të dalë nga gjendja e turpshme politike e shoqërore ku ndodhet Shqipëria, duhet të bëhen një seri gjërash, si emancipimi i shoqërisë me shembuj pozitivë, stimulimi i kulturës së punës, apo kultivimi i modeleve të reja të frymëzuara nga njerëzit që inkurajojnë solidaritetin dhe mirëkuptimin shoqëror në luftën kundër krimit dhe jo kulti i individit krijuar nga drejtuesit që sillen si diktatorë.

Pra, me pak fjalë, edukimin e shoqërisë me virtytin dhe dashurinë për lirinë—lirinë që nuk ta dhuron askush.

Ndjeva në këto thënie—pak të përgjithshme, por në tërësine e tyre të pakondërshtueshme—disa shenja të asaj shkolle mendimi që ka mbizotëruar e mbizotëron akoma në shoqërinë italiane në të cilën ai jeton e punon, por edhe në shoqërinë shqiptare të tranzicionit—pikërisht qasjen e të shprehurit “korrekt politikisht”, të mirëpërfaqësuar nga ato OJQ-të ndërkombëtare që kanë formuar dhe ushqyer ekonomikisht pjesën më të madhe të klasës intelektuale shqiptare të dekadave të fundit—që të gjithë politikanët e tanishëm e përdorin shpesh për të fshehur vullnetin e tyre të pangopur për të dominuar, ose të paktën për t’u pasurua përmes administrimit të punëve publike.

Unë e di shumë mirë se nuk është ky rasti i Gentianit, por propozimet që ai bën nuk më duken të përshtatshme për thellësinë e analizës me të cilën ai u parapriu atyre.

Mbi të gjitha, ato nuk duken të mjaftueshme për të zgjidhur problemin historik të shoqërisë shqiptare, sikurse deri tani ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për të parandaluar rënien e shoqërisë italiane, në gjirin e së cilës këto argumente predikohen dhe praktikohen vazhdimisht.

Unë do të guxoj të sjell këtu një argument që trollët e zakonshëm, në pamundësi për të kuptuar domethënien e një analize, do ta sulmojnë me komentet e zakonshme të nacionalizmit, mbështetur në gjuhën vulgare, të zhveshur nga arsyetimi apo edukimi me mendim politik.

Problemi nuk qëndron tek sugjerimet e Alimadhit—të gjitha ato janë përqafuar gjerësisht në Shqipëri, madje janë përdorur në një masë të madhe nga të gjithë politikanët që i janë afruar skenës politike shqiptare gjatë tridhjetë viteve të fundit: lirinë, virtytin, paqen, solidaritetin, punën, vlerat morale na i kanë shitur me tonelata, pa doganë dhe me një çmim të mirë, por gjërat, nga pikëpamja sociale, janë kanë ardhur vetëm duke u përkeqësuar dhe ne kemi reaguar duke emigruar.

Thënë me gjuhë të thjeshtë, problemi është në ndryshimin midis të thënës dhe të bërës, në ndryshimin midis asaj që një kandidat pretendon dhe asaj që ai është në të vërtetë, midis asaj që thuhet dhe asaj që mendohet, midis qëllimit të shpallur dhe vullnetit të vërtetë të fshehur—pra, problemi është në ndryshimin midis të vërtetës dhe të rremes.

Ja, ku është rrënja e problemit shqiptar, ose më saktë një nga shkaqet e problemit shqiptar: pikërisht tërheqja e vazhdueshme dhe e pandryshuar ndaj gënjeshtrave dhe fallcos në histori dhe në çdo formë të marrëdhënieve publike.

Dhe, duhet thënë, në Shqipëri pothuajse gjithçka është fallco dhe thuajse të gjithë gënjejnë, pothuajse gjithmonë dhe thuajse për çdo gjë, dhe pastaj rrëmbejnë çfarë munden dhe ja mbathin.

Unë flas për Shqipërinë, por e njëjta gjë është e vërtetë edhe për Italinë, nga ky këndvështrim të paktën në kohët e sotme pak ndryshojnë me Shqipërinë, ose për Greqinë ose për shumë vende të tjera, veçanërisht ato mesdhetare.

Ndërsa në veri për të zgjidhur problemet përdorin forcën e arsyes, ose, në më të keqen, atë të shtetit, nga anët tona jemi të gjithë artistë të mendimit të dobët—ne nuk kemi kurrë forcën e mjaftueshme për të mbajtur arsyen dhe drejtësinë—dhe e rrotullojmë problemin duke iu drejtuar dinakërisë dhe mashtrimit.

Dhe gënjeshtra nuk është gjë tjetër veçse mjeti kryesor i mashtrimit—është ndryshimi, apo mohimi, apo fshehja e vetëdijshme dhe e vullnetshme e të vërtetës—falë të cilës njëra palë e nxit palën tjetër të marrë një vendim ose të sillet në një mënyrë që nuk do ta kishte bërë nëse do të kishte pasur informacionin e duhur—një sjellje shumë e përhapur në tregti dhe në botën e biznesit, dhe po aq e përhapur në politikë, por edhe më e përhapur në marrëdhëniet personale, mjaft të kujtojmë mosbesnikërinë në çifte, apo justifikimet që fëmijët kërkojnë, apo shpesh edhe të rriturit, për të shmangur pasojat e një gabimi apo faji që sapo kanë kryer.

Gënjeshtra ose fallcoja shërben për të pasur “të drejtë”, për të marrë me mashtrim pëlqimin për një propozim, apo për të mashtruar gjykatësin, apo për të ngritur alibinë e gjykatësit të korruptuar, apo, madje, shpesh për të justifikuar teori politike dhe ngjarje historike jo gjithmonë të lavdërueshme.

Historia botërore e komunizmit është e gjitha një falsifikim i gjerë dhe sistematik, i organizuar me zell dhe për qëllime propagande, për të arritur të vetmin qëllim të madh final: revolucionin. Kjo gjë përbën një mendim të konsoliduar në botën perëndimore dhe gjen plot justifikim në shkrimet e një mendimtar themelues në historinë e komunizmit siç është Antonio Gramshi.

Nga gropa e Katynit—ku u pushkatuan nga Ushtria e Kuqe thuajse të gjithë oficerët e ushtrisë polake në vitin 1940, por që për shumë vite masakra iu vesh nazistëve—tek mitralozi që vrau Musolinin, dhuruar “fshehurazi” nga Partia Komuniste Italiane partive komuniste të vendeve të Lindjes, përfshi Shqipërisë, secila e bindur se ka ajo origjinalin, tek heshtja për miliona rusët e masakruar nga Stalini, deri tek heshtja dhjetëvjeçare për mijëra italianë nga Dalmacia të masakruar dhe hedhur në shpellat nëntokësore nga partizanët jugosllavë më 1945—të gjitha mashtrime që u bënë të mundura edhe nga heshtja bashkëpunuese e botës perëndimore.

Shqiptarët janë të vetëdijshëm e shumë janë vetë dëshmitarë direktë të propagandës së regjimit komunist, që nga përshkrimet imagjinare të vuajtjeve të vendeve kapitaliste, tek kunjat metalike në majë të mbajtëseve të vreshtave “për të vrarë parashutistët e armikut”, apo deklarimi bombastik i 700 mijë bunkerëve të ndërtuar nga ushtria komuniste, që pas rënies së regjimit përfunduan në më pak se 180 mijë, apo 28 mijë shqiptarët e shpallur dëshmorë të luftës partizane—mashtrim aq i madh sa historiani amerikan Bernd Fischer, në paraqitjen e veprës së tij “Shqipëria në luftë, 1939-1945”, deklaroi se nuk ka përdorur me dashje si burim dokumentet e Arkivit të Shtetit Shqiptar, sepse ato ishin pothuajse gjithmonë të fallsifikuara nga regjimi komunist për arsye propagande.

Kështu, të paktën që nga koha e komunizmit, në Shqipëri fallsifikohet historia, fallsifikohen dokumentet historike, dokumentet e pronësisë, dokumentet e identitetit, fallsifikohen provat, deklaratat e çdo gjë tjetër që i shërben nevojës të momentit dhe ky “fallsifikim” ka një seri precedentësh dhe pasojash që e kanë bërë qendrën e dinamikës politike.

Por, edhe sikur regjimi komunist, apo politika në përgjithësi, të ketë gënjyer për të arritur një qëllim që shitej e mund të pretendohej në favor të interesit të përbashkët, sot, kur qytetarët gënjejnë, në mënyrë të paturpshme dhe të vazhdueshme, e bëjnë vetëm për një interes individual dhe privat, sikurse në rastin e dokumenteve të rreme për të justifikuar kthimin e pasurive që nuk u takojnë apo për të marrë një identitet të ri që u lejon të vazhdojnë të pashqetësuar krimet e tyre ndërkombëtare.

Të gjithë bëjnë, ose kanë bërë dokumente fallco. I ndjeri Profesor Besim Daja më pohoi një herë se i kishte furnizuar partizanët me vula fallco gjatë luftës, por vulat të tilla vazhdojnë të prodhohen edhe sot tek Rruga e Kavajës. Për shumë vite, këto kjo industri vulash u përdor për viza në pasaporta fallco, tani përdoret për dokumente tenderi, çertifikata apo diploma, ndërsa në të ardhmen do të përdoret për fallsifikim faturash, bilancesh dhe raportesh kontabël (fallsifikim që tashmë ka filluar).

Është gjithçka kaq fallco, kaq e pabesueshme sa askush nuk e beson më tjetrin. Aq më pak beson në deklaratat apo premtimet e politikanëve; për të mos përmendur besimin në dëshmitë e rreme në gjykata apo hetime që e bëjnë të kotë dhe fallco vetë projektin për një drejtësi të pakorruptuar; apo në deklaratat e rreme për gjendjen strukturore të ndërtesës së Teatrit Kombëtar recituar në kor nga një qeveri e tërë për të legjitimuar një tender fallco për rishfrytëzimin fallco të një zone publike; apo në dokumentet e kompanive fallco për të siguruar tendera pa konkurencë, me vlerë të lartë.

Madje, shpesh kanë qënë fallco edhe pohimet kundër lajmeve fallco, në një kreshendo që prodhon vetëm një konfuzion të madh në të gjithë shoqërinë.

Për ndershmëri intelektuale e detyrë qytetare duhet të kujtoj se fallsifikimet historike apo dokumentare nuk janë ekskluzivitet i komunistëve, ballkanikë apo shqiptarë, por kanë qenë dhe janë një prani e vazhdueshme në të gjithë perëndimin, nga bilancet e rreme të Enronit dhe Parmalatit tek invalidët e rremë italianë, apo buxhetet e rreme greke për të hyrë në zonën euro, e deri tek mashtrimet rreth vërtetësisë të sulmit ndaj Kullave Binjake.

Por nëse fallsifikimi është formë e përhapur e krimit edhe në Perëndim, në të gjitha shoqëritë perëndimore ka akoma refuzim të prerë për ta legjitimuar fallsifikimin, dhe kur fallsifikimi vërtetohet, dikush paguan dhe shkon në burg, ndërsa, shpesh, mjafton vetëm një akuzë e pavertetuar për të shkaktuar dëme serioze në marrëdhëniet shoqërore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton, vetëm sepse nuk i dha përgjigje një pyetjeje precize diekte mbi një veprim të tijin, rrezikoi seriozisht të shkarkohej, sepse për amerikanët një politikan apo punonjës civil që gënjen nuk mund të qëndrojë në pushtet, sepse ai nuk mund të jetë i besueshëm.

Në vendet mesdhetare, historia e dorëheqjes së Klintonit ngjalli gallatë, sepse për ne, njerëzit mesdhetarë, në veçanti për ngjarjet që lidhen me fushën romantike, gënjeshtra është shpesh zgjedhja e preferuar dhe paradoksalisht edhe shpëtimi i shumë familjeve.

Në realitet, argumenti i papranueshmërisë së gënjeshtrës ishte dhe mbetet thelbësor pikërisht në sistemin e marrëdhënieve të biznesit dhe atyre shoqërore, nga të cilat politika është në të vërtetë sinteza përfundimtare: nëse nuk mund t’i besojmë thënieve të një ministri apo nëpunësi civil, nuk mund të besojmë se qeveria dhe shteti po veprojnë në interes të qytetarëve, dhe, për këtë arsye, kjo zhvlerëson supozimin themelor të marrëdhënies shtet-qytetar.

Në klimat mesdhetare, gënjeshtra dhe fallsifikimi shkaktojnë reagime të ndryshme në varësi të kontekstit: nëse gruaja ju akuzon për tradhti, të gjithë ju këshillojnë ta mohoni edhe kur ajo ju vë përballë provave; të njejtët mbase ju mirëkuptojnë pa patur nevojë për justifikime nëse fallsifikoni pak deklaramin e të ardhurave—të dyja konsiderohen fakte private dhe nuk u jepet shumë peshë.

Në politikë dhe marrëdhëniet institucionale gjendja është shumë më serioze: mbase mund të lejojmë ndonjë gënjeshtër të një politikani për gjëra pa rëndësi për punët e qeverisë, por nuk mund të tolerojmë një fallsifikim të kryer nga një gjyqtar, qoftë edhe në jetën private, sepse kjo do të minonte besueshmërinë e tij personale, dhe përmes tij atë të institucionit që i shërben, pra, të drejtësisë.

Por, mbase për shkak të trashëgimisë kulturore të periudhës komuniste—si nevojë e atëhershme jetësore për t’u mbrojtur nga dënimet e patolerueshme—apo mbase për shkaqe shumë më të vjetra, në Shqipëri, gënjeshtrat dhe mashtrimet janë si buka e përditshme, duke prodhuar një divorc të përhershëm midis realitetit dhe rrëfimit dhe kjo, si rezultat, bën të pavlefshme çdo formë të marrëdhënieve shoqërore, ekonomike ose politike, duke prodhuar mosbesim dhe konflikt të vazhdueshëm.

Për rrjedhojë, një mori gënjeshtarësh të paturpshëm dhe serialë janë ngritur në rolet më të larta të politikës shqiptare, mbështetur nga militantët e tyre, të gjithë indiferentë ndaj mashtrimit apo gënjeshtrave të udhëheqësit të tyre të dashur, deri në ditën kur e pësojnë në lëkurën e tyre.

Nëse nuk gjejmë një mënyrë për ta zvogëluar apo vënë nën kontroll këtë sjellje të urryer dhe shkatërruese shoqërore, duke filluar me edukimin e brezave të ardhshëm dhe duke krijuar një barrierë idinjate dhe dënimi të vërtetë shoqëror ndaj saj, çdo predikim i vlerave pozitive, si ato të propozuara nga miku im i mirë Alimadhi, do të dobësohet dhe kam frikë se ne do të vazhdojmë të jetojmë, si në kohën e komunizmit, në gënjeshtrën e vendit më të bukur në botë, ku nuk ka krim, nuk ka padrejtësi dhe në lulishte lulëzojnë diamantet.

________

Ky shkrim është pjesë e një serie artikujsh Mbi Krizën e Përhershme të Shqipërisë. Lexoni dy artiukujt e parë në këtë seri, këtu dhe këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>