Shqiptarja që lufton në Itali me koronavirusin është dëshmi e dështimit dhe jo suksesit të Shqipërisë

Nga Carloalberto Rossi
Shqiptarja që lufton në Itali me koronavirusin është dëshmi e dështimit dhe jo suksesit të Shqipërisë

Këto ditë shtypi shqiptar po përpiqet të theksojë rolin e shqiptarëve në ndihmë të Italisë, në këtë situatë dramatike të epidemisë së koronavirusit.

Duke shfletuar në mediat shqiptare gjeta një intervistë me një infermiere të re shqiptare, e cila punon prej vitesh në reanimacionin e një spitali në veri të Italisë, sot nga më të prekurit dhe në vijën e parë të luftës kundër virusit.

Intervista zhvillohet mbi tema të ndryshme me interes për lexuesit, natyra e  punës, ngarkesa, vështirësitë e ndeshura, rreziqet—vajza shpjegon qartë situatën.

Në fund, vjen pyetja e pashmangshme e momentit, si u ndje ajo pas mbërritjes në Itali të ekipit, tashmë të famshëm të mjekëve shqiptarë në ndihmë të spitalit të Brescias. Por vajza nuk e kupton pyetjen (ose hiqet sikur nuk e kupton) dhe kështu çdo shpresë gazetareske për vetë-lartësimin e rolit të Shqipërisë u zvenit.

Por reagimi i përgjithshëm i publikut shqiptar është thuajse automatik dhe shumë njerëz mendojnë “e pe sa e zonja; ja, ne shqiptarët po kujdesemi për italianët. . . ” duke llogaritur instinktivisht në ketë ndihmë edhe rolin e të intervistuarës, sikur ajo të ishte ndihmë nga shteti shqiptar për shtetin italian.

Fatkeqësisht për retorikën e qeverisë shqiptare, e vërteta nuk është aspak kështu—ka qëlluar që unë e njoh mirë vajzën infermiere. Iva është shumë e zonja në punën e saj dhe me një ndjenjë të lartë qytetarie, por Shqipëria dhe shteti shqiptar nuk kanë asnjë lidhje me të, dhe ata nuk mund të krenohen me të.

E vërteta është se historia e saj dhe e familjes së saj janë një rast i përsosur për të kuptuar më mirë realitetin e emigracionit shqiptar.

Ajo ka lindur në Tiranë, vajza e një mekaniku dhe e një kryekameriereje, të dy të lindur në familje me kulturën e disiplinës dhe të punës. Ata u martuan në fillim të të ashtuquajturës periudhë të demokracisë, dhe bënë punë të thjeshta, nga më të ndryshmet, për të mbajtur familjen në boshllëkun e Tiranës të tranzicionit të përjetshëm.

Në fillim të mijëvjecarit, ata vendosën të shkojnë në Itali në kërkim të një të ardhme më të mirë që Shqipëria nuk mund t’ua jepte.

Infermierja jonë erdhi në Itali me një vizë turistike në vitin 2000, kur ishte vetëm shtatë vjeç. Dhe kjo ishte ndoshta gjëja e vetme e jashtëligjshme në të gjithë jetën e saj dhe në atë të prindërve të saj.

Si shumë të tjerë, para dhe mbas tyre, ata shkuan direkt atje ku kishin një mik apo të afërm të gatshëm për t’i ndihmuar—në rastin e tyre në një qytet të përgjumur në kufi me Lombardinë.

Atje njerëzit punojnë dhe paguajnë taksat—nuk është qyteti më i pasur në Itali, por është gjithmonë një qendër në veriun e pasur industrial, prandaj prindërit e heroinës sonë gjetën lehtësisht një punë, ajo pastron shtëpi, kur se ai mirëmban bodruemt dhe ndonjëherë ngarkim-shkarkim.

Shumë përpjekje dhe shumë pluhur, por ata e dinë se janë emigrantë pa dokumenta, dhe rruga e tyre nuk është e lehtë.

Pastaj vjen amnistia për emigrantët dhe bashkë me të edhe dokumentet dhe një punë në fabrikë për të, i cili ndërkohë ka filluar të bëjë punë të vogla në mbrëmje, instalon antena dhe saçe satelitorë, riparon banjot, lyen apartamente—tre, katër orë çdo mbrëmje pas punës në fabrikë: janë para që u duhen.

Ai punon ende në atë fabrikë, e cila është zgjeruar shumë që atëhere, ndërkohë që ai ka ribërë banjot dhe ka vendosur antenat në gjysmën e qytetit, ndërsa ajo vazhdon të bëjë punë shtëpiake, dhe në çdo shtëpi që hyn, atë e duan, sepse është e shpejtë, e besueshme, e sjellshme dhe e qeshur.

Një ndihmë e vogël nga familja dhe një kredi bankare dhe pas disa vitesh ata blejnë një shtëpi, punojnë shumë, konsumojnë pak, por ata janë emigrantë dhe kjo është në rregull, sepse së pari duhet paguar kredia dhe kthyer paratë të afërmëve.

Por për fat të mirë, fabrika vazhdon të jetë në punë, dhe është edhe gjysma tjetër e qytetit për të montuar antena.

Ata kanë një qëllim të vetëm, të ndërtojnë të ardhmen e tyre, domethënë të mbrojnë vajzën e tyre dhe ta rrisin atë mirë. Dhe kështu erdhi mosha kur vajza fillon shkollën, është e zonja, arrin në shkollë të mesme dhe aty ka më pak fëmijë emigrantësh.

Shkolla e mesme në Itali ishte dhe është akoma shkolla ku u formua pjesa më e mirë e vendit: është një shkollë e vështirë, bëhet latinisht, histori, letërsi, filozofi, matematikë, fizikë, kimi, disa gjuhë të huaja, por për shqiptarët, gjuhët e huaja nuk janë asnjëherë problem.

Është një shkollë që përdor lëndët shoqërore për të stërvitur trurin, të mëson si të sistemosh dhe ndërtosh mendimi, ndërsa kultura e përgjithshme të ofron mjete për të kuptuar botën dhe perspektivën e saj.

Dhe ajo, e cila nuk është rritur në luks, këtë herë zgjedh një rrugë më praktike duke u regjistruar në shkencat e infermierisë. Ndërkohë, ajo është bërë e bukur dhe shumë e shohin, çfarë e shqetëson shumë nënën e saj, e cila i shikon me dyshim disa llojue shoqërish që ofron qyteti.

Si shumë nga moshatarët e saj në Tiranë (dhe jo vetëm), ajo mund të luante me fizikun dhe fytyrën e saj të ëmbël, por në shtëpinë e tyre nuk ka vend për këto lloj shtigje të shkurtra, dhe nëna duke u këshilluar me familjet ku punon, të gjitha njerëz që punojnë dhe paguajnë taksat, arriti ta mbante larg shoqërisë së këqe dhe kështu vajza studion, studion dhe diplomohet brenda kohës, në tre vjet.

Ajo del me miqtë vetëm gjatë netëve të së shtunës, me njerëz të njohur, por tani kontrolli prindëror nuk është më i nevojshëm: vajza është e pjekur dhe e përgjegjshme, me sjellje të këndshme dhe të ëmbël, fsheh një karakter të fortë dhe një vendosmëri të fortë.

Disa muaj më vonë ajo fillon punë në spitalin shtetëror, dhe ndërkohë që punon përfundon edhe studiemt e spaicalizmit që në Shqiëpri i qaujnë studime master.

Dhe me punën, mbarojnë pushimet tek gjyshërit në Tiranë, tashmë të rralluara që në kohën e universitetit, dhe me punën vjen edhe miqësia me një nga kolegët më të mirë e më të ndershëm, me të cilin Iva fillon të ushtrojë alpinizmin dhe më pas të punojë për Kryqin e Kuq, shoqata e vullnetarëve që kryejnë shërbimin e urgjencës falas.

Ajo është shumë e përgatitur, e përkushtuar dhe tregon siguri në çdo situatë, dhe kështu ajo përfundon menjëherë në repartin më të vështirë të spitalit, në reanimacion, ku përfundojnë rastet më të rënda dhe të cilat kërkojnë vëmendje dhe specializim më të madh.

Aty e gjen edhe epidemia e koronavirusit, ku reparti i saj bëhet shpresa e fundit e shumë, shumë të infektuarve në zonën ku jeton. Dhe shumë vdesin para syve të saj, shpesh duke marrë dorën e saj si lehtësim në mungesë të djalit apo vajzës, sepse të afërmit nuk lejohen t’u rrinë pranë.

Profesioni i kujdesit shëndetësor, i cili përjeton çdo ditë vuajtjet e të tjerëve, është një punë që të bën të fortë, dhe nëse nuk është për kulturën dhe formimin nuk e jeton dot si mision—me pak fjalë, është një punë që nëse nuk ke humanizëm nuk mund ta bësh dot vetëm për paratë e një rroge—dhe ajo vë pasionin dhe entuziazmin në punën e saj, gjithmonë të përqendruar, gjithmonë e përkushtuar.

Dhe kur drejtuesi i shërbimit vendos të operojë zemrën e një pacienti të infektuar me koronavirus, i cili kishte një problem të ndërlikuar kardiak, i detyruar të përdorë personelin e reanimacionit, sepse ai i kirurgjisë është transferuar diku tjetër për shkak të epidemisë, ai zgjedh atë.

Një operacion i vështirë dhe pothuajse eksperimental, i bërë më i vështirë nga rreziku i infektimit dhe madhësia e pajisjeve mbrojtëse personale.

Pas shumë orësh ndërhyrje, operacioni mbaron me sukses, Iva heq kostumin e mbrotjes biologjike, bën një një dush, dhe niset menjëherë bashkë me të dashurin në Kryqin e Kuq për të bërë turnin e tyre të zakonshëm të natës në ambulanca si vullnetarë të papaguar, e lumtur me atë që ka bërë dhe është duke bërë, dhe e qetë sepse, pasi ka bërë detyrën e saj profesionale dhe shoqërore, ajo mund të jetë në paqe me botën përreth.

Tani për tani, historia mbaron këtu, por mos u keqkuptoni: ajo nuk është aq e veçantë, nuk ka fuqi apo dhunti të veçanta, nuk është një përjashtim.

Në fund të fundit, historia e saj është një histori si mijëra të tjera, si shumë histori emigrantësh shqiptarë apo emigrantësh të tjerë, por edhe si e shumë familjeve italiane, dhe nëse nuk do të kishte qenë me origjinë shqiptare dhe nëse nuk do të sihte veprimi propagandistik i misionit të mjekëve shqiptarë në Itali ajo nuk do të ishte intervistuar kurrë nga televizioni publik shqiptar.

Nga historia e vërtetë e kësaj vajze nxirret një mësim i madh, mësimi se arritja e njohjes shoqërore dhe suksesit personal, pra e të pasurit e një roli pozitiv në shoqëri, është një proces shumë i thjeshtë dhe receta e këtij suksesi bazohet në përbërësit e mëposhtëm:

— zgjidhni prindër, të cilët janë njerëz të mirë, punëtorë dhe të disiplinuar, mundësisht fëmijë të njerëzve të tjerë të zellshëm dhe të disiplinuar, të cilët bëjnë një punë të ndershme dhe rrinë me njerëz si vetja.

— shkoni në shkolla që në vend që t’ju shesin diploma të panevojshme, ju mësojnë të mendoni dhe ju japin një mënyrë dhe dhe një bagazh të gjerë kulturore për të kuptuar jetën dhe vlerat e saj.

— studioni me vetëmohim, ndërsa prindërit tuaj punojnë me vetëmohim;

— shmangni shtigjet e shkurtra shoqërore dhe ekonomike;

— shoqërohuni me njerëz të mirë dhe me fëmijë të njerëzve të mirë;

— respektoni të tjerët dhe ndihmojini ata kur të keni mundësi;

— rrethojeni veten me njerëz që i respektojnë të tjerët dhe i ndihmojnë ata sa herë që munden;

— zgjidhni një punë të mirë, brenda mundësive tuaja dhe bëjeni atë me bujari dhe vetëmohim;

— gjithmonë bëni diçka të dobishme për mjedisin shoqëror përreth.

Në se nuk doni të mendoni se ekzistojnë dallime racore, shqiptarët duhet të kenë të njëjtën aftësi personale si të gjithë popujt e tjerë të tokës për të ndjekur këto rregulla, dhe në fakt shumë prej tyre i kanë ndjekur gjithmonë, veçanërisht kur kanë emigruar jashtë, janë integruar dhe lulëzojnë.

Shkollat gjithashtu mund të forcohen dhe organizohen si duhet, natyrisht nëse kampionët e arsimit të ri në Shqipëri nuk ja kushtojnë veten veprimtarive më fitimprurëse të ndërmjetësimit gjyqësor.

Edhe puna e ndershme mund të bëhet, por mungojnë ligjet e përshtatshme dhe njerëzit e mirë që t’i zbatojnë dhe respektojnë ato janë të pakët.

Ajo që mungon gjithnjë e më shumë në Shqipëri është pikërisht konteksti shoqëror në të cilin një qytetar mund të integrohet—krijimi dhe ruajtja e këtij mjedisi shoqëror është pikërisht detyra e shtetit dhe qeverisjes.

Kjo është arsyeja pse historia e Ivës dhe mijërave të tjerave si ajo janë me të drejtë krenaria e familjeve të tyre dhe dëshmi e suksesit jetësor të tyre, por për qeveritë shqiptare historia e tyre është pikërisht dëshmia e dështimit të tyre spektakolar historik, i cili vazhdon të detyrojë njerëzit e mirë të emigrojnë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>