Të dielën, më 10 maj, 165 pacientë me Covid-19 humbën jetën në Itali, numri më i vogël i viktimave në 24 orë, që nga 9 marsi.
Po ashtu, të dielën për herë të parë që nga fillimi i marsit, numri i të infektuarve të rinj ishte nën 1.000.
Në total, deri më tani Italia ka regjistruar 219 mijë të infektuar dhe 30560 viktima, më një përqindje vdekshmërie prej rreth 14 për qind, më e larta në krahasim me gjithë vendet e tjera të prekura nga Covid-19.
Po ashtu është në rritje numri i pacientëve të shëruar.
Të dhënat e publikuara nga Departamenti i Mbrojtjes Civile në Itali konfirmuan se kulmi i shpërthimit ka kaluar, por ekspertët vazhdojnë të paralajmërojnë se një relaksim i rregullave në fazën e dytë të emergjencës dhe pakujdesia e njerëzve mund të shkaktojë një rikthim në ngjitjet e virusit.