Ministrja e Financave Anila Denaj këshilloi sot të gjithë ata që kanë mbetur pa punë për shkak të pandemisë së Covid-19, që t’i drejtohet sektorit të ndërtimit si një prej sektorëve të padëmtuar.
Gjatë një interviste për ABC News, Denaj tha se fuqia punëtore duhet ‘rimodeluar’ dhe përshtatur me vendet e punës që janë të lira, veçanërisht në sektorin e ndërtimit:
“Kjo situatë mund të sjellë një rimodelim të fuqisë punëtore.
Nëse ai punonjës punonte në hoteleri-turizëm, mund të punojë në ndërtim, sepse fondet e rindërtimit janë të paprekura. Fleksibiliteti për të ndryshuar punën duhet të jetë i lartë.”
Pyetur nga gazetari Enkel Demi nëse edhe këngëtarët e mbetur pa punë, duhet t’i drejtohen ndërtimit, zonja Denaj shtoi:
“Edhe këngëtarët që përmendët ju duhet të mendojnë në këtë drejtim. Qarkullimi në këto sektorë do të jetë më i ulët dhe do të ketë një rialokim. Duhet të kemi një fleksibiltet për të lëvizur në sektorë të ndryshëm.”
Teksa Banka e Shqipërisë dhe institucionet ndërkombëtare po paralajmërojnë krizë të thellë ekonomike dhe rritje të papunësisë, qeveria do të duhet të hartojë një plan konkret dhe afatgjatë për nxjerrjne e vendit nga kriza ekonomike.
Deri tani duket se vetmja masë e qeverisë është është të këshillojë të papunët të nisin punë në ndërtim.