Pesë deputetë të opozitës parlamentare kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të rrëzuar ashpërsimet e Kodit Penal, miratuar më 16 prill, në lidhje me shkeljen e masave për përhapjen e koronavirusit.
Deputetët janë Artur Roshi, Myslim Murrizi, Alban Zeneli, Korab Lita dhe Arlind Çaçani.
Ata kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve të kodit pasi cënojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, dhe lënë vend për keqpërdorime politike.
Më 16 prill, shumica socialiste miratoi në kuvend ndryshimet në Kodin Penal ku parashikohen dënime të ashpra për ata që shkelin masat kufizuese gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, izolimin apo përhapin me dashje koronavirusin.
Për të mësuar më tepër për ashpërsimin e Kodit Penal lexoni këtu.
Siç Exit News ka sqaruar më parë, ndryshimet e Kodit Penal ngrenë shqetësime serioze për shkelje të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut.