Shtyhet për herë të pestë seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Trupa e përbërë nga gjykatëset Albana Boksi, Nure Dreni dhe Nertina Kosova vendosën shtyrjen e seancës për dy arsye:
- mos njoftimin në kohë të ish-ministrit Tahiri për seancën – për shkak të pandemisë, gjykata duhet të njoftojë palët në mënyrë elektronike dhe gjykata nuk ka marrë konfirmim se Tahiri është vënë në dijeni për seancën;
- trupa kërkon kohë për tu njohur me aktin normative, të miratuar në 27 maj, i cili i hap rrugë zhvillimit të seancave gjyqsore, pas më shumë se dy muaj bllokim për shkak të pandemisë.
Seanca e radhës do të zhvillohet më 11 qershor.
Më 20 shtator 2019, ish-ministri Tahiri u shpall fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda për shpërdorim detyre, ndërkohë akuzat për bashkëpunimin dhe trafik droge me bandën e Habilajve u rrëzuan.
Ai u dënua me 5 vite burg, të ulura në 3,4 vite shërbim prove.
Ky vendim u apelua si nga prokuroria e cila kishte kërkuar 12 vite burg, ashtu dhe nga ish-ministri i cili kërkon pafajësinë.