Ekonomia e Shqipërisë do të bjerë rreth 5 për qind, çfarë do të rrisë varfërinë në nivelet e fillimit të dekadës së shkuar, sipas Bankës Botërore (BB).
BB ka botuar javën e shkuar një dokument me parashikimet e saj për ndikimin e krizës së koronavirusit në ekonomitë e vendeve të Balkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë.
Parashikimet janë bërë për dy skenarë të mundshëm: skenari 1, kur ekonomia e vendit do të hapet në fund të qershorit; dhe skenari 2, kur ekonomia do të hapet në fund të gushtit.
Për secilin skenar, BB ka bërë parashikimin e ndikimit të krizës në punësimin dhe për rrjedhojë varfërinë e vendit.
Në fakt, ekonomia shqiptare po hapet edhe më herët se skenari i parë më optimist i Bankës Botërore, çfarë do të thotë se parashikimet e mëposhtme mund të jenë më negative se sa realiteti i pritshëm.
Skenari i parë parashikon se “varfëria në Shqipëri do të rritet me 4 pikë përqindje, duke shkuar në rreth 40 përqind, dhe në skenarin e dytë varfëria të rritet me 8 pikë përqindje dhe rritet në nivelin e 44 për qind të popullsisë”.
Në skenarin e parë, “varfëria në Shqipëri do të shkojë në nivelin e vitit 2012 dhe në skenarin e dytë, atë më pesimist do të shkojë në nivelin e vitit 2005”.
Ekonomia shqiptare u hap më 1 qershor duke hequr pothuajse të gjitha masat kufizuese, prandaj mund të argumentohet se varfëria do të rritet më pak se 4 pikë për qindje dhe do të mbetet në një nivel më të ulët se 40 për qind e popullsisë.
Raporti thekson se gjendja e Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë më e vështirë se e vendeve të tjera të rajonit për shkak se në këto dy vende rreth një e tretat e punonjësve të sektorëve të prekur janë të vetëpunësuar dhe veçanërisht vulnerabël ndaj humbjes së të ardhurave.
Në modelin e saj parashikues, BB e ndan ekonominë në tre grupe bazuar në ndikimin e pritshëm të krizës. Ajo parashikon se në skenarin më të keq punonjësit e grupit më të prekur do të humbin deri në 25 për qind të të ardhurave të tyre, ata të grupit të ndikuar mesatarisht nga kriza do të humbin deri në 12,5 për qind të të ardhurave, ndërsa punonjësit e grupit më pak të prekur nuk pritet të kenë humbje të të ardhurave.
Në skenarin e parë të hapjes së hershme të ekonomisë sikurse është rasti i Shqipërisë, ulja e pritshme mesatare e të ardhurave për secilin grup do të jetë sa gjysma e uljes në skenarin më të keq, pra respektivisht 12,5 përqind dhe 6,3 për qind.
Në mënyrë me specifike, Banka Boterore komenton për Shqipërinë:
“Shumë industri, ndër to edhe tekstilet, shfrytëzmi i minierave, call centerat dhe ndërtimi, u detyruan të reduktojnë prodhimin e tyre për të plotësuar kërkesat e distancimit social dhe sepse nevoja dhe kërkesat e eksporteve ranë.
Emigrantët shqiptarë gjithashtu po vuajnë nga kriza globale e cila ul të ardhurat e tyre dhe si pasojë ul remitancat.
Duke qënë se njerëzit që punojnë bujqësi janë tashmë të varfë, dhe duke qenë se modeli nuk parashikon ë ketë rritje të të ardhurave në bujqësi, rritja e varfërisë do të vijë kryesisht si rezultat i uljes së të ardhurave dhe shpenzimeve të qytetarëve në zonat urbane.