Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me raportin e për rritjen e prodhimit të kanabisit në vend të hartuar nga Interpol dhe Qendra Evropiane e Drogave.
“Raporti [..] është një kambanë e fortë alarmi që duhet të zgjojë dhe t’i bashkojë të gjitha forcat e përpjekjet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e këtij fenomeni kanceroz për shoqërinë, që aq shumë e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë”, shkruan Presidenti në një postim në Facebook.
Gjithashtu, presidenti i kujton të gjithëve se “lufta kundër kanabisit është kusht për integrimin europian dhe çdo neglizhencë në këtë drejtim do kishte pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit”.
Presidenti thekson se “përqendrimi i Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese në luftën kundër kanabisit është i domosdoshëm”.
Raporti për “Tregjet e Drogës në BE — ndikimi i Covid-19, i majit 2020 shkruan se kultivimi i kanabisit në Shqipëri pritet të rritet në muajt e ardhshëm, për shkak se institucionet ligjzbatuese janë fokusuar më shumë tek vëzhgimi i zbatimit të masave kundër Covid-19 dhe jo tek lufta ndaj narkotikëve.