Kryeministri Rama deklaroi të martën se shumica dhe opozita duhet t’i zgjidhin vetë çështjet e reformës zgjedhore. Por kjo gjë nuk po ndodh dhe ndaj ambasadorët po ndërmjetësojnë ndërmjet palëve.
Në një bisedë me gazetarët gjatë inagurimit të spitalit të ri Covid-19, Rama tha:
“Në Shqipërinë e 2020-ës nuk është e hijshme për ne për çështje të brendshme dhe që lidhen me vendojen e rregullave të lojës, ku palët janë dy skuadra apo më shumë që zhvillojnë një ndeshje, apo finale ulen dhe bien dakord. Sa është fusha, porta, faull, penallti, të bëhet me ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër dyer.”
Kryeministri u shpreh i hapur për një takim me kryetarin e PD-së Lulzim Basha:
“Kam qenë në opozitë, dhe i kam kërkuar disa herë kryeministrit të kohës të bisedonim. Tani kanë ndërruar pozicionet. Kërkoj të ulemi, por ju e dini historinë. Do ishte normale të uleshim, merreshim vesh, nuk merreshim vesh.”
Zoti Rama i falenderoi ambasadorët për përpjekjet e tyre në arritjen e dakordësisë mes palëve.