Kryeministri Edi Rama akuzoi sot opozitën se po bllokon Reformën Zgjedhore pasi nuk pranon depolitizimin e administratës zgjedhore dhe se këmbëngul për përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme kur e di që nuk ka kohë që ajo të zbatohet.
Rama e quajti Bashën ‘pa kurajo’ dhe që ka nevojë për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të diskutuar me shumicën çështjet e brendshme të vendit.
Duke folur në kuvend, Rama përdori metaforën e ambasadoren Kim se tani ‘topin e ka opozita’ dhe se ai do të presë se ‘ku do e çojnë topin’.
“Arsyeja kryesore e sherreve janë komisionet, kush identifikon dhe kush numëron. OSBE kërkon depolitizim të komisioneve. Ne e kemi thënë depolitizimi i komisioneve është i domosdoshëm.
Identifikimi elektronik është një tjetër pikë. Nga momenti i firmosjes së kontratës deri në realizim duhen së paku 6 muaj, sot jemi shumë vonë, jemi qershor, por le ta zënë se do të miratohet në fund të qershorit, do të duhet të votohet gjithë struktura e KQZ-së së re, që është komplet model tjetër, do të marrë gjithë korrikun.
Ja do u duhet atyre 40 ditë që është shumë pak për të përgatitur të gjithë studimin.
Tetor-nëntor tenderi ndërkombëtar, 30 ditë ankimet, në janar kontrata, në shkurt fillon puna për sistemin, prill-maj do të bëhen zgjedhjet.”
Rama tha se i kanë ofruar opozitës se nëse sistemi elektronik nuk realizohet në kohë për zgjedhjet e ardhshme, atëherë të emërojë si zëvendëskryetar të KQZ-sëpër të monituar gjithë procesin e sistemit elektronik:
“Ne e pranojmë që të bëhet 100% nëse arrihet dhe të hyjë për aq sa arrihet, pjesa tjetër me tradicionalen dhe PD-ja ta gjejë një njeri vetë, ta zgjedhë brenda në një nga dhomat e SHQUP-it, nuk na intereson, ta vendosë me votën tonë, tuajën e dini vetë, ta vendosë atje zëvendëskryetar të KQZ me mandatin ekskluziv që të merret me teknologjinë, që të mos thonë jo tenderi këtu jo ashtu.
Ta bëjnë vetë, nëse arrijnë ta bëjnë ne jemi ok. Ne nuk duam të hyjmë fare, ta bëjnë vetë, ta marrin dhe ta bëjnë vetë elektronikën.”
Rama shprehu edhe njëherë keqardhjen që në Shqipëri shumica dhe opozita nuk mund t’i zgjidhin vetëproblemet e brendshme, por duhet ndërhyrja e ambasadorëve, e kërkuar në këtë rast nga opozita:
“Më vjen shumë keq që në vitin 2020, politika shqiptarë ka nevojë akoma për ambasadorë që të hyjnë në mes, që të bëjnë përkthyesin shqip shqip për të lehtësuar procesin e komunikimit.
Kjo është një gjë që tregon stadin adoleshent, të politikës shqiptare dhe të liderëve që nuk kanë kurajon që për gjëra që janë në interes të përbashkët për vendin.
Nuk i kërkoj unë ambasadorët, por duke qenë se të tjerët e kishin të pamundur për të shmëbyer opinionit, ne e pranuam dhe u jam mirënjohës ambasadorëve, që bëjnë arbitrin, ping pong.”