Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali justifikoi sot përdorimin e gazit lotsjellës nga policia dhe veprimet e fundit të drejtorit të policisë Ardi Veliu lidhur me skandalin e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia dhe nënës së tij.
Në një intervistë për ABC News, Spiropali tha se Veliu ka qenë i stresuar kur publikoi videon e mamasë së 15 vjeçarit që më pas rezultoi se ishte skenë filmi:
“Ishte një deklaratë e gabuar, shumë e nxituar, krejt e panevojshme. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është në stres të madh për sa i përket punës që ka bërë policia në këto 2 vite. Ka qenë në një presion të jashtëzakonshëm, Molotov mbi krye, dhunë armë, gurë etj”.
Kur gazetarja ndërhyri për t’i thënë Spiropalit se ‘policia ka pasur gaz lotsjellës pa limit për të përdorur kundër protestuesve’, ministrja tha:
“Patjetër, pse çfarë do të përdori?! Ujë të gazuar do i hedhë [policia] protestuesve të dhunshëm?!”
Në protestat kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, policët dhunuan qytetarë paqësore, gazetarë, arrestuan dhjetra prej tyre dhe hodhën gaz lotsjellës.
Ndërsa në gjithë protestat e opozitës në vitin 2019, policia ka përdorur sistematikisht dhe pa dallim gazin lotsjellës për t’iu përgjigjur edhe shtytjeve më të lehta apo përleshjeve të disa prej protestuesve.
Policia, nën drejtimin e Veliut, ka përdorur si të vetmin mjet për të shpërndarë turmat gazin lotsjellës. Dhjetëra njerëz, përfshi fëmijë dhe të moshuar, si dhe gazetarë që mbulojnë protestat apo dhe vetë policët kanë marrë trajtim mjekësor si rezultat i efekteve të gazit.