
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dënoi veprimet e shefit të postës së policisë së Fushë-Arrëzit Izmir Duraku, i arrestuar dhe akuzuar për përdhunimin e një vazje të mitur në komisariatin e Shkodrës, e cila kishte shkuar për të denoncuar abuzimin nga punonjësit e Shtëpisë së Fëmijës.
Gjatë një vizite në Hanin e Hotit, Lleshaj tha se duhet zbardhur dhe shtuar penalitetet për këto krime të rënda:
“Duhen shtuar penalitetet dhe duhen çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët.
Kemi reaguar pas sinjalit të parë dhe nuk i dimë detajet por do të marrim masa më të forta. Rreziku vjen shpesh për ata që janë vendosur për të bërë rojën, pra kujdestarët.”
Ai tha se qeveria po punon për të ndërtuar një sistem të ri raportimi për dhunën ndaj të miturve, ‘ku do mund të bëhen bashkë energjitë e shumë aktorëve, shkollës, shoqërisë civile që kjo çështje të merret në kontroll shumë të fortë’.
Lleshaj i bëri thirrje medias që të jetë e kujdesshme me këto raste pasi shpesh viktimat e dhunës kanë frikën e mediatizimit dhe nuk i bëjnë publike ngjarjet e rënda:
“I bëj thirrje medias të mundohet t’i ruajë nga publiciteti detajet e rasteve se kështu i frenojmë viktimat për të denoncuar. Pa denoncim s’ka reagim.”
Mbrëmjen e 5 qershorit, është arrestuar Izmir Duraku, aktualisht shef i Postës së Policisë së Fushë-Arrëzit pasi akuzohet se në 2015-ën ka abuzuar me një të mitur në komisariat, kur e mitura ka shkuar për të denoncuar një tjetër abuzim seksual.
Ngjarja është hetuar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave dhe Prokurorisë Shkodër.