Kam qenë e tunduar e revoltuar, gati të shkruaj diçka për gjithë atë që ndodhi me vajzën 15 vjeçare, madje unë si protestuese e lindur, do doja me instikt të isha në protesten e organizuar, apo marshimin protestë siç u quajt, por ja që nuk dola. U mërzita që nuk dola, por e pata protestë me veten!
Me vetëdije nuk dola, jo se kauza nuk ishte e drejtë, jo se nuk kam vajza edhe unë, jo se miket e mia nuk i ranë telefonit si përhere për vendin e takimit në protestë, por sepse për herë të parë i bera bllok “un-it” nën çatine time!
Protestë? Sa herë kam shkruar për të, sa herë kam folur me studentët e mi për të! Protesta është jetë, është kuptim, është demokraci e pastër!
Edhe për beben në gji të nënës thonë” po nuk qau foshnja nuk i jep nëna cicë”! Pra protestë! Kauza? Për beben ushqimi, aq jetik, po për ne të rriturit?- duhet kauzë e drejtë thonë…hmm
Po pse kauzat kur protestoj se vidhet vota ime nuk eshte e drejte? Jo vetem na kanë dhunuar, por me breza e vranë demokracinë në këtë vend!
Po pse Ardit Gjoklaj nuk ishte kauze e drejte? Jo vetëm e dhunuan, por e vranë!
Po pse kauza për të mbrojtur atë që vdiq në burg për 30 mijë lek drita? E dhunuar për 30 mijë lek dhe e vranë!
Po pse kauza per Teatrin nuk ishte e duhura? E dhunuan, na dhunuan, …dhe në fund e shëmbën- e vranë!
Po pse kauza e dhunimit të asaj vajzës nga Kavaja, që dje në mënyrë cinike drejtësia dha verdiktin për ti liruar nga burgu dhunuesit…? O zot! Bash dje kur ne orën 16:00 do protestohej për një tjëtër të dhunuar!
A ishte e drejtë kauza dje? PO! Padiskutim po! Por na duhet të ndërgjegjësohemi që jo protestë vetëm kur vjen puna tek nderi i un-it të familjes e dalim me vullnet rrugëve, marshojmë.
…Dhe si kurrë më parë policia nuk pat nevojë për leje proteste, policia e shtetit nuk dukej gjekundi, madje bulevardi u pastrua, …edhe zoti çoi diell…ama harrojmë që demokracia është institucionet dhe zinxhir veprimesh që jo më kot ndodhin! Një zot e di se kujt nga institucionet ia ndjeu, mori masa, a reagoi!…
Dhunuesit kanë përgjegjësi individuale, por dhunimi i vërtetë në këtë vend ka fytyrë institucionale!
Dhunuesi roje-që tenderohet nga Bashkia, apo drejtori a psikologu që kanë fytyrën e rekrutimit të Ministrisë së Arsimit nuk janë të rastësishmëm. Madje ministresha u ngut ta kthente rastin në masë konkrete për përfitim punësimesh elektorale: do dyfishonte rojet dhe psikologet! Uff! Po ato aty i kishe moj zonjë, por u bënë palë me të keqen.
Më pëlqen protesta, fakti që njerëzit kanë filluar të ndjejnë, të gjallërohen, por ka ardh koha e përgjegjësive dhe e ndëshkushmërisë!
Ndjesë miqve të mi, që nuk më kishin në krah dje në protestë!
Herën tjetër për veten dhe demokracinë jam e bindur që do jemi më shumë!