Opozita parlamentare kërkon tryezë të re për Reformën Zgjedhore: Nuk votojmë reformën e Këshillit Politik

Nga Exit News
Opozita parlamentare kërkon tryezë të re për Reformën Zgjedhore: Nuk votojmë reformën e Këshillit Politik

Drejtuesit e grupeve parlamentare opozitare në Kuvend, Myslim Murrizi, Nimet Musaj dhe Edmond Stojku, i kanë vënë qeverisë 2 kushte si e vetmja mënyrë që ata të votojnë për Reformën Zgjedhore.

Përmes një letre publike, drejtuar Ramës e Ruçit, ata shkruajnë se kushtet janë:

  1. Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë i ri dhe jo një arnim skandaloz i Kodit të Vjetër ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE-së.
  2. Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushte dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur, për kalimin nga listat e mbyllura tek listat e hapura.

Ata kërkojnë që brenda 48 orësh të ngrihet një tryezë tjetër bisedimesh për reformën e vërtetë zgjedhore ku të marrë pjesë dhe vetë Edi Rama, si ‘prova e seriozitetit të tryezës’.

Në rast se kushtet e tyre nuk pranohen, ata shkruajnë se deputetët e opozitës parlamentare nuk mundet dhe nuk do ta votojnë produktin e dalë nga një marrëveshje pazari jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik.

Të shtunën, 6 qershor, pas takimit me ambasadoren Kim, Murrizi deklaroi i vendosur se opozita parlametare nuk do të votojë në Kuvend asnjë marrëveshje dhe pazar, pjesë e së cilës janë dhe pjestarët e dosjes 184, duke iu referuar Damian Gjiknurit.

Nuk dihet ende nëse Murrizi përfaqëson mendimin e të tre grupeve parlamentare të opozitës, të cilët kanë 31 deputetë në total dhe 8 deputetëve që janë jashtë grupeve parlamentare.

Murrizi është anëtar i grupit Demokrat, i cili ka 11 anëtarë, mes të cilëve dhe Rudina Hajdarin, pjesë e Këshillit Politik.

Grupi tjetër ‘I pavarur’ ka 9 anëtarë dhe kryesohet nga Nimet Musaj, ndërsa grupi ‘Demokraci dhe drejtësi’ ka 11 deputetë kryesohet nga deputeti Edmond Stojku.

Në takim me ambasadoren Kim morën pjesë Hajdari, Murrizi, Musaj, Stojku dhe Gjoni. Përveç Murrizit, asnjë prej tyre nuk bënë deklarata pas takimit.

Për votimin e reformës në Kuvend nevojiten 84 vota, ndërsa shumica socialiste ka 75 vota.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>