Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se ka çuar biznesin drejt falimentit, duke mos e mbështetur gjatë pandemisë së Covid-19.
Gjatë takimit me sipërmarrës të njësisë 11 në Tiranë, Basha tha se çdo ditë 60 biznese mbyllen sepse nuk kanë xhiro mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet, taksat dhe pagesat e lartë ndaj shtetit:
“Rritja e çmimeve, rënia e fuqisë blerëse, pagesat e larta dhe afrofe të dritave dhe të ujit, papunësia në rritje, mungesa e mbështetjes nga qeveria po e çojnë biznesin e vogël në këtë zonë drejt falimentit. Rreth 60 biznese ulin qepenat çdo ditë dhe familjeve të tyre u shterrojnë mundësitë për të mbijetuar.”
Ai premtoi se qeveria e tij do të fokusohet të zhvillimi ekonomik në të mirë të gjithë qytetarëe dhe jo tek një grusht qytetarësh:
“Askush nuk pret më asgjë të mirë nga kjo qeveri që ka dëshmuar në 7 vite se prioriteti i saj nuk janë qytetarët dhe biznesi i ndershëm, por një grusht njerëzish që grabisin çdo të mirë të këtij vendi. Së bashku me qytetarët do të sjellim ndryshimin në këtë vend e do të ndërtojmë një qeverisje normale, që të garantojë ringritjen ekonomike, vende pune e një jetë më të mirë për çdo shqiptar.”