Taulant Balla, numri 2 i PS i ka kërkuar Gjykatës së Apelit, anullimin e vendimit për çështjen e financimit të PD-së. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, i cili ka parë shkresën e dorëzuar në Gjykatë, shkruan se në të renditen 3 prova të reja:
1 — Kontratat e lobimit janë firmosur nga Lulzim Basha duke përdorur të dhenat e pashaportës së tij diplomatike.
2 — Shërbime të faturuara në emër të Partisë Demokratike në shumën totale 675.000 dollarë.
3— Deklarimi zyrtar se kompania guackë Biniatta Trade, do të kompensojë/do të paguajë lobistin Nicolas Muzin për shërbimet e ofruara në emër të Partisë Demokratike.
Më 14 maj Gjykatën e Apelit e pushojë çështjen e Lulzim Bashën dhe la në fuqi vendimin e shkallës së pare.
Prokuroria e apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës për pushimin e çështjes së Partisë Demokratike, në lidhje me lobimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017, sikurse e kishte lajmëruar më parë.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranë Lazer Sallaku, vendosi më 13 janar pushimin e çështjes sepse nuk ka pasur prova se PD ka paguar shumën prej 500 mijë dollarësh, ashtu siç ka deklaruar Nik Muzin. Ndaj të dyja akuzat, si ajo për falsifikim të formularëve të deklarimit të shpenzimeve, ashtu dhe ajo e pastrimit të parava, nuk u provuan.
Gjykata ka vlerësuar se mes PD-së dhe Nik Muzin nuk ka pasur kontratë dhe as ndonjë akt marrëveshje shoqëruese, ndërsa kontrata mes Nik Muzin dhe kompanisë Biniada Trade, nuk ka pasur lidhje me interesa te ndonje partie politike.
Në qershor 2019, prokuroria ngriti akuzat “falsifikim të formularëve” dhe “kryerjen e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi” ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe ekonomistit të PD-së Ilir Dervishi.
Në nëntor 2019, prokurorët e çështjes vendosën të rrëzojnë akuzën për mosdeklarim të të ardhurave dhe e dërguan për gjykim vetëm për falsifikimin e formularëve. Hetimet u kryen nga prokurorët Gjergj Tako, Ervin Karanxha dhe Kol Hysenaj.