Gentian Bleta, një prej të dyshuarve kryesore për pengamarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës, është ndaluar në Poloni.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për BalkanWeb se policia polake ka ndaluar për verifikim një person të quajtur Gentian Bleta, i cili më parë ka pasur emrin Martin Bleta.
Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria, ndaj Polonia dhe Shqipëria po bëjnë verifikimet e nevojshme.
Jan Prenga, baba i 5 fëmijëve, u mor peng më 17 janar në Kamëz. Ai u torturua dhe u vra tek kompleksi Golden në pronësi të Altin Hajri. Familja Hajri, 4 anëtarë të së cilës akuzohen për përfshirje në pengmarrje, është akuzuar prej vitesh për lidhje me trafikun ndërkombëtar të heroinës.
Policia nuk ka mundur të gjejë ende trupin e viktimës.
Ngjarja e rëndë ka si shkak prishjen e pazareve të drogës mes vëllait të viktimës dhe pengmarrësve në Britani, për rreth 300 kilogramë kokaine.
Urdhri për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës dyshohet se u dha nga një burg në Ekuador, ku vuan dënimin për trafik kokaine Dritan Rexhepaj. Ky njihet për disa vrasje, grabitje bankash dhe arratisje nga burgjet e Shqipërisë, Belgjikës e Italisë. Rexhepaj konsiderohet me lidhje të forta me banda në Angli dhe Shqipëri.
Pengmarrja po hetohet nga SPAK-u.