Shumica dhe opozita janë përplasur ditët e fundit për formulën se si do të përzgjidhen anëtërët e 3 trupave të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
11 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për Reformën Zgjedhore, në 16 qershor, opozita ka propozuar detajimin e mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve. Por shumica socialiste e ka kundërshtuar atë.
Nga komunikimi publik i deritanishëm është ende e paqartë formula e detajuar që propozon shumica socialiste për përzgjedhjen e anëtarëve të organve të reja të KQZ-së.
Përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri ka thënë se formula e opozitës politizon KQZ-në:
“Nëse PD kërkon KQZ me mandate politike, atëherë le të mbajmë KQZ ashtu si është.”
Exit News sqaron më poshtë se çfarë është rënë dakord në marrëveshjen e 5 qershorit për përbërjen e KQZ-së dhe çfarë formule propozon opozita.
Sipas marrëveshjes së 5 qershorit, KQZ do të përbëhej nga tre trupa të shkëputura dhe të pavarura nga njëra tjetra, secila përgjegjëse për një aspect. Tre trupat do të jenë:
- Trupa rregullatore, e përbërë nga 5 anëtarë, do të jetë përgjegjëse për nxjerrjen e vendimeve, rregulloreve dhe procedurave për administrimin e procesit zgjedhor në zbatim të Kodit Zgjedhore dhe ligjeve të tjerë;
- Trupa ankimore, e përbërë nga 5 anëtarë, do të jetë përgjegjëse për shpalljen e rezultateve zgjedhore, përfshi shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të komisioneve zgjedhore vendore dhe komisioneve të qendrave të votimit.
- Komisioneri Shtetëror, i ndihmuar nga një zëvendës, do të jetë organi ekzekutiv për organizimin tekniko-administrativ të procesit të votimit, përmes administratës së KQZ-së.
Anëtarët e të tre këtyre organeve duhet të marrin 3/5 e votave në Kuvend. Nëse kandidatët nuk arrijnë këtë shumicë do të zgjidhen me short.
Formula e re e opozitës
Në 16 qershor, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste kanë propozuar detajimin e mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve.
Opozita propozon qe të jetë Avokati i Popullit, ngjashëm si me përzgjedhjen e anëtarëve të KPK-së dhe KPA-së për Reformën në Drejtësi.
Sipas Oerd Bylykbashit, kjo është ‘një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur dhe jo politik të kandidaturave për të ushtruar detyrën në KQZ.’
Kështu Avokati i Popullit shpall, mbledh dhe vlerëson kandidaturat për të tre shkallët e KQZ-së në dy lista: një listë me kandidatët që plotësojnë kushtet për të qënë anëtar i KQZ-së dhe një listë me kandidatët që nuk i plotësojnë këto kushte.
Më pas, Avokati i Popullit nge një komision AdHoc me 3 përfaqësues nga mazhoranca dhe 2 nga opozita, që do të shqyrtojë të dyja listat dhe zgjedhin anëtarët e rinj të KQZ-së.
Në propozimin e opozitës theksohet se:
“Komisionin Ad Hoc i Përzgjedhjes, përbëhet nga:
a) 3 përfaqësues të partive të shumicës parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse;
b) 2 përfaqësues të partive të pakicës parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse.”
Në përfundim të gjithë procesit, lista me anëtarët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc i kalon Kuvendit për votim në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancën plenare.
Ky propozim i opozitës është kundërshtuar nga shumica socialiste.
Në 17 qershor, Gjiknuri deklaroi se shumica socialiste nuk do të diskutojë më çështjen e KQZ-së në Këshillin Politik nëse opozita nuk sjell një propozim të ri.