Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë nuk tregon dështimin e reformës në drejtësi.
Duke folur në seancën plenare, Gjonaj theksoi se reforma ka nxjerrë dhe institucione që po vazhdojnë të punojnë, ndaj nuk duhet sulmuar:
‘Ka pasur rezultate pozitive nga reforma në drejtësi, të gjitha institucionet ushtrojnë funksionet e tyre por rrezikohet nga ata që tentojnë vazhdimisht ta minojnë.
Që të jetë funksionale kjo drejtësi ka ende kohë.
Plotësimi i Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese nuk ka ecur në kohë, por kjo s’do të thotë se dështoi reforma.
Ky nuk është problem i vettingut, por problem i trashëguar dhe mangësi e integritetit të atyre gjykatësve të shkarkuar.
Kjo nuk është një ndeshje me të fituar dhe të humbur se nëse nuk ngrihet në kohë Kushtetuesja humbasim të gjithë”.
Dy gjykatat më të lartë në vend janë të bllokuara prej vitesh, për shkak të shkarkimeve nga procesi i vetingut.
Gjykata Kushtetuese prej dy vitesh nuk është funksionale duke bllokuar shqyrtimin e një sërë ligjesh të rëndësishme përfshi dhe ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ndërsa Gjykata e Lartë ishte e bllokuar prej më shumë se një viti pasi kishte ngelur me vetëm 2 gjykatës. Ajo është bërë funksionale prej pak javësh me emërimin e 3 gjytësve, Ilir Panda, Ervin Pupe dhe Sokol Sadushi.