Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi të hënën, se vendosja e taksës së sheshtë, premtim i opozitës kur të vijë në pushtet, do të lehtësojë sipërmarrësit dhe do të zgjidhë disa prej problemeve kryesore të tyre.
Duke folur gjatë prezantimit të Indeksit të Biznesit 2019, sipas së cilit është 66 përqind e bizneseve mendojnë se klima e biznesit është përkeqësuar ndjeshëm, Tabaku u shpreh:
“Ne mendojmë për një politikë të re fiskale, një taksë të sheshtë.
Sot ka institucioni dhe rregulla pa fund, që ndryshohen papritur, krijojnë probleme, monopole, mungesa e konkurrencës, oligarkizimi.
Kemi nevojë të grupojmë ato 18 taksa dhe tatime në një taksë të sheshtë për t’i dhënë frymë biznesit, jo ti biem në qafë, por të jetë partneri më i madh. Taksa e sheshtë mund të zgjidhë problemin e informalitetit, etj.”
Ish-deputetja përmendi dhe ndryshime e shpeshta të ligjeve fiskale në vitin e fundit, paqëndrueshmëri e cila nuk e ndihmon biznesin, por vetëm e bën më të vështirë dhe të paparashikueshme të ardhmen.
Gjatë prezantimit të rezultateve të Indeksit të Biznesit 2019, doli se shqetësimet kryesore të sipërmarrësve janë klima politike, krijimi i monopoleve në treg, tregtia e pandershme, mungesa e stafit të kualifikuar dhe performanca e përgjithshme e dobët e ekonomisë.