Ish-deputetja socialiste Mimoza Hafizi do të kandidojë për Rektore e Universitetit të Tiranës.
Përmes një statusi në Facebook, Hafizi sqaroi se vendimi i saj qe i beftë, pasi ministria e Arsimit vendosi të hapë garën për rektor në mënyrë të papritur.
Ajo komentoi dhe për vendimin e ministrisë për të mbajtur zgjedhjet në 30 korrik, një periudhë kur studentët janë larg dhe pedagogët me pushime:
“Hapja e fushatës zgjedhore në situatën e emergjencës shëndetësore që po kalon vendi, e po kështu dhe universitetet, është një nga aktet e paskrupullta të kësaj qeverie. Shumë pedagogë e kanë quajtur ‘thikë pas shpine’ ndaj nesh, botës akademike.
Por kjo është vetëm thika e rradhës, që mjedisi ynë pëson nga politika. Zgjedhjet në datën 30 korrik, me studentët larg dhe me pedagogë në periudhë pushimesh, mund të kenë vetëm nje qëllim: shmangien e trupës zgjedhore nga procesi.
Zgjedhjet në mungesë të nje fushate normale komunikimesh, diskutimesh e debatesh, do të lenë gjatë shijen e hidhur të një procesi të parregullt.
Vendimi i papritur i ministres duket se i shkon përshtat shmangies së kandidaturave konkuruese, përderisa krijon mundësinë që procesi i kandidimit të mbyllet po aq papritur sa dhe vendimi i saj.”
Mimoza Hafizi është prej vitesh pedagoge në Departamentin e Fizikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Fillimisht ministria e Arsimit kishte vendosur se zgjedhjet për drejtuesit e universiteteve publike do të mbaheshin në 12 qershor. Por më pas e anuloi atë datë pasi gjendja e fatkeqësisë natyrore zgjaste deri në 23 qershor dhe në universitete nuk kishte filluar ende mësimi.