Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët në shtator në Shkodër.
Po ashtu dy qeveritë do të punojnë për të sponzorizuar një kongres mes kryebashkiakëve të Shqipërisë dhe Kosovës, për të ndarë sfidat dhe praktikat e mira të punës.
Këto lajmërime u dhanë nga kryeministri Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti.
Kryeministri Rama u shpreh:
“Jemi dakorëdësuar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë lidhur me COVID të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit.
Jemi dakordësuar edhe për një tjetër event të rëndësishëm që do të zhvillohet për herë të parë mes nesh, me shpresë se situata do të na e mundësojë në nëntor, ku dy qeveritë të sponsorizojnë kongresin e parë të autoriteteve vendore, që dëshirojmë të kthehet në një kongres tradicional, ku kryetarët e bashkive dhe komunave, sikur quhen në Kosovë, të ndajnë praktikat e mira, sfidat e përbashkëta në adresimin e problemeve komuniktare dhe potencialin e nismave të përbashkëta.”