
Nga 6 korriku, do të nisë gjobitja e bizneseve që nuk kanë aplikuar për pagën e luftës prej 40 mijë lekësh për punonjësit e tyre.
Lajmin e dha Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një intervistë për Ora News.
Që prej majit, qeveria kishte paralajmëruar se bizneset që nuk do të aplikojnë për përfitimin do të gjobiten me 50 mijë lekë.
Ky vendim u mor nga qeveria pasi shumë punonjës kanë denoncuar faktin se bizneset ku ata punojnë nuk kanë aplikuar për marrjen e pagave nga paketat financiare, miratuar nga qeveria.
Ajo njoftoi gjithashtu se po vazhdon puna për shpërndarjen e pagës prej 40 mijë lekësh tek ato punonjës që kanë pasur gabime në aplikime:
“Ka punonjës që nuk kanë përfituar automatikisht, për shkak të mangësisë së të dhënave, rreth 5 mijë punonjës. Shumë prej tyre janë tatimpagues që deklarojnë se të punësuarit janë larguar me dorëheqje.”
Qeveria po vazhdon dhe rimbursimi i gjobave të marra nga shqiptarët që tejkaluan afatin e qëndrimit në Bashkimin Europian, për shkak të pandemisë.
Zonja Ibrahimaj tha se “deri tani kemi marrë 85 aplikime ku në 60 prej tyre mungon mandati i pagesës, në 31 raste mungon numri i llogarisë bankare, ndërsa vetëm 5 individë janë me dokumentacion të plotë”.