Partia Demokratike e quan koncesion për rrugën Milot-Fier ‘një nga vendimet më korruptive dhe që vjedh më shumë qytetarët shqiptarë’.
Në një konferencë për shtyp, ish-deputetit Enkelejd Alibeaj tha se qeveria ka 6-fishuar artificialisht kostot për të detyruar qytetarët që të pagujnë tarifa të larta për kalimin e rrugës. Kjo, sipas PD-së, do të pasuronte ata që janë pranë kryeminisitrit, ‘duke vjedhur qytetarët’.
Alibeaj u shpreh se nuk ka transparencë për mënyrën se si u mor vendimi që rruga të bëhet me koncesion, nuk dihet si u përzgjodh konsulenti që doli në konkluzionin se rruga kushton 1.2 miliardë euro dhe se një udhëtim kushton 17.4 euro.
Alibeaj tha se megjithëse ministrja Balluku premtoi gjatë prezantimit të projektit se i gjithë dokumentacioni do të jetë i disponueshëm në faqen e Agjencia e Prokurimeve Publike, deri në 6 korrik nuk është publikuar asgjë:
“Tenderi nuk ekziston i shpallur në faqen përkatëse të prokurimeve, megjithëse, gjatë shfaqjes propagandistike 5 ditë më parë, Ministrja e Infrastrukturës, premtoi ndryshe.”
PD-ja i drejtoi 4 pyetje kryeministrit Rama dhe ministres Balluku lidhur me procesin e tenderim:
- Pse nuk është shpallur akoma tenderi dhe dokumentat e tij?
- Si u përzgjodh projekti i Milot-Fier?
- Kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion?
- Si u përzgjodh konsulenti i rrugës 1.2 miliardë euro?
Në fund, Alibeaj, premtoi se PD-ja, kur të vijë në pushtet, do të verifikojë me imtësi projektin Milot-Fier, dhe do ta anulojë atë nëse gjen shkelje ligjore.