PD: Do anulojmë koncesionin Milot-Fier, nëse gjejmë shkelje ligjore

Nga Exit News
PD: Do anulojmë koncesionin Milot-Fier, nëse gjejmë shkelje ligjore

Partia Demokratike e ka quajtur ‘korruptiv’ projektin 1,2 miliardë euro të qeverisë Rama për rrugën Milot-Fier dhe premton se kur të vijë në pushtët do ta anulojë atë nëse gjen shkelje ligjore.

Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, Ervin Minarolli e quajti ndërtimin e rrugës Milot-Fier si ‘veprën më të madh të vjedhjes së qeverisë Rama para largimin’:

“1.2 miliardë euro për 115 kilometra përkthehet si rrugë që kushton, rreth 10 milionë euro për 1 kilometër. Kosto del shumë më e lartë, nëse merret parasysh se 62 kilometra të saj do të kalojnë në rrugët dhe autostradat ekzistuese.

1.2 miliardë euro për një rrugë që nuk kalon në terren të vështirë dhe kur më shumë se gjysma e saj rezulton e ndërtuar, është një vendim antikombëtar.

Është futje e duarve në xhepat e varfër të qytetarëve, të cilët duhet të paguajnë shumë shtrenjtë kalimin në rrugën e florinjtë të Edi Ramës dhe të Belinda Ballukut.”

Mirarolli tha se ‘ekspertët llogarisin se kostoja e projektit është fryrë, në mënyrë që pagesa e detyruar për qytetarët të jetë sa më e lartë’.

Ai krahasoi koston e ndërtimit të rrugës Milot-Fier, rreth 10 milionë euro për kilometër, me atë të bypassit të Fierit, e cila ka kushtuar 1,8 milionë euro për kilometër:

“Për ne është e papranueshme që, qeveria të ndërtojë me kosto 6 herë më të lartë se standardi i Bashkimit Europian. 

7 vjet më parë ne siguruam fonde nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një rrugë të ngjashme, ndërtimin e bypass-it të Fierit me një kosto prej 1.8 milionë euro për kilometër.

Sot, është e papranueshme që rruga Milot-Fier të ndërtohet me 6 fishin e kostos dhe milionat nga paratë e shqiptarëve të përfundojnë në xhepat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.”

Minarolli theksoi se PD, sapo të vijë në pushtet do të shohë ligjshmërinë e këtij projekti dhe do ta anulojë atë nëse është i paligjshëm:

“Partia Demokratike e ka bërë të qartë: Ne nuk do të njohim asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit. Në rastin e Milot-Fier gjithçka vjen era korrupsion.”

Në 1 korrik, Kryeministri Rama njoftoi se segmenti rrugor Milot-Fier do të ndërtohet dhe mirëmbahet me koncesion.

Qytetarët do të pagujnë për kalimin në këtë aks 0.075 euro për kilometër ose 8,7 euro për një kalim, ose 17,4 euro për vajtje-ardhje.

Segmenti do të jetë 115 kilometra i gjatë, ku 53 kilometra do të jenë rrugë të reja që do të ndërtohen, ndërsa 62 kilometrat e tjerë do të jenë rehabilitim i rrugëve ekzistuese.

Financimi prej rreth 1,2 miliardë eurosh për rrugën do të bëhet nga fituesi i garës. Ndërsa shteti do të ofrojë garanci për deri në 10 për qind të vlerës së investimit, në rast se trafiku në rrugë nuk është sipas pritshmërisë së koncesionarit.

Për të lexuar më shumë për këtë projekt lexoni këtu.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme