Kryetari i PD, Lulzim Basha akuzoi qeverinë se nuk po merr asnjë masë parandaluese për rritjen e numrit të të infektuarve duke hedhur poshtë izolimin prej 3 muajsh të qytetarëve.
Në një postim në Facebook, pas takimit me mjekë, Basha pohoi se qeveria përdori muajt e izolimit për të vjedhur miliona lekë me tendera sekretë.
“Qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve. Karantina 3 mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve.Dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim.”
Basha pohoi se pret që prej marsit përgjigje për pyetjet e mëposhtëme:
- Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre?
- Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit?
- A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira?
- A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese?
Basha tha se vëmendja e kryeministrit Rama është te” tenderat e PPP korruptive, për të cilat vazhdon të japë fonde, duke i lënë shëndetësinë dhe shqiptarët të vetëm përballë virusit dhe krizës ekonomike.”