Presidenti Meta ka kujtuar të mërkurën, tre dëshmorë të luftës së Kosovës, pjesë e Batalionit “Atlantiku”, vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi.
Përmes një statusi në Facebook, Meta shkruan se ende nuk ka drejtësi për vrasjen e tyre, 21 vite më parë,:
“Ndonëse kanë kaluar 21 vite nga vrasja e pabesë e tyre, fatkeqësisht ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz!
Vënia e drejtësisë pa pengesa dhe zvarritje do të lehtësojë jo vetëm dhimbjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi, por do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tonë.
Vëllezërit Bytyçi me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, që sollën Kosovën e lirë e të pavarur, do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja. Sepse liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë.”