Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një takim me përfaqësues të Dhomës Gjermane të Tregtisë, prezantoi planin ekonomik të PD-së.
Pikat e planit ekonomik përfshijnë:
1. Klimë pozitive, hapje, konkurrencë dhe luftë monopoleve. Transparencë totale e çdo akti qeveritar, që nga prokurimet publike.
2. Karantinim të inspektoriateve deri në hartimin e një kuadri ligjor europian për inspektoratet. Kjo i jep fund klimës së terrorit. Moratorium 1-vjeçar për inspektoratet.
3. Reduktimi i lejeve, liçencave dhe shumë procedurave të tepërta.
4. Taksë e sheshtë 9 përqind. Sigurimet shoqërore 18 përqind dhe eliminim të rritjes së taksës së qarkullimit të vendosur 24 lekë/litër nga qeveria Rama.
5. Vetëm 1 taksë biznesit të vogël, 0.5 përqind të xhiros.
Basha akuzoi qeverinë se “paratë e taksapaguesve shqiptarë i ka shpërdoruar me rilindjen urbane, 800 milion euro dhe 2.2 miliard për koncesione e PPP.”
Ai shtoi më tej se “krahas krizës së thellë ekonomike, vendi sot po përballet dhe me rëndimin e krizës shëndetësore dhe mungesës së strategjisë nga ana e qeverisë për t’u përballur me të.”
Basha pohoi se vendit i duhet një qeveri e përgjegjshme duke thekuar se plani ekonomik i PD është përgatitur me ekspertë gjermanë dhe “ka si qëllim bërjen e Shqipërisë vend më tërheqës për investimet e huaja.”