Eurokomisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi dhe zëvendëspresidenti i KE-së Margaritis Schinas do të marrin pjesë në konferencën ministeriale për migracionin e paligjshëm përmes rrugës së Ballkanit, e cila do të zhvillohet në 22-23 korrik në Vienë.
Konferenca organizohet nga Austria dhe në të marrin pjesë partnerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe Danimarka, Greqia, Zvicra dhe Gjermania si mbajtësja e Presidencës aktuale të KE-së.
Frontex dhe Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit do të marrin pjesë në konferencë gjithashtu.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit për të luftuar migracionin e parregullt, menaxhimin e kufijve, luftimin e kontrabandës së migrantëve, si dhe krijimin e kapaciteteve në fushën e azilit.
Qëllimi i konferencës është të promovojë bashkëpunim praktik midis vendeve pjesëmarrëse për të adresuar sa më parë migrimin e parregullt përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor.
Në qershor 2020, pas lehtësimit të masave anti Covid-19, Ballkani Perëndimor u bë rruga e preferuar e emigrantëve të paligjshëm, për të kaluar në vendet e BE-së, sipas raportit të publikuar nga Frontex.
Në qershor, u kapën nga misioni Frontex 2050 emigrantë të paligjshëm, ose 70 përqind më shumë se në maj dhe tre herë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Në gjysmën e parë të 2020-ës, gati 9300 emigrantë të paligjshëm u kapën duke kaluar ilegalisht kufirin për në vendet e BE-së, përmes Ballkanit Perëndimor — 73 përqind më shumë se në 6 muajt e parë të 2019-ës.