Këshilli Politik do të mblidhet në 28 korrik për të diskutuar për ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve.
Opozita jashtëparlamentare ka pranuar ftesën e shumicës socialiste për tu takuar, por shprehet e vendosur për të mos pranuar heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi, në përgjigje, shprehet se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen me dakordësinë e të gjithë palëve dhe se në rast të mosdarkodësisë ‘duhet të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme’.
Për këtë parim, Bylykbashi sqaron se palët kanë rënë darkord në 14 janar, kur dhe u formua Këshilli Politik.
Ai i kërkoi shumicës socialiste që të hiqte dorë nga çdo tentativë për të bërë ndryshime të njëanshme, pasi ato minojnë marrëveshjen e 5 qershorit.
Diskutimet në Këshillin Politik pritet të jenë intensive në ditët në vazhdim, pasi kryeministri Rama ka paralajmëruar se ndryshimet kushtetuese do të miratohen në kuvend në 30 korrik.
Rama kërkon hapjen e dy të tretave të listës për deputetë dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, ndërsa Basha kërkon hapjen 100 për qind të listave dhe mbajtjen e koalicioneve parazgjedhore.