Suedia, një prej pak shteteve që nuk vendosi kufizime të forta gjatë pandemisë së Covid-19, ka qenë më pak e goditur ekonomikisht sesa fqinjët e saj evropianë.
Sipas BBC-së, ekonomia suedeze u ul me 8,6 për qind në periudhën prill-qershor 2020, krahasuar me 3 muajt e parë të vitit.
Mëgjithëse kjo ulje është më e larta që Suedia ka pasur në 40 vite, për periudhat 3-mujore, krahasuar me vendet e tjera të Europës, ekonomia suesdeze performoi më mirë.
Mesatarisht, ekonomia në vendet e BE-së u ul me 11,9 për qind në periudhën prill-qershor, krahasuar me periudhën janar-mars.
Shtetet më të prekura nga Covid-19 patën ulje më të fortë ekonomike, Spanja me 18,5 për qind, Franca me 13,8 për qind dhe Italia me 12,4 për qind.
‘Rënia e PBB-së është më e larta për një tremujor të vetëm që prej vitit 1980 . Siç pritej, është një rënie dramatike. Por në krahasim me vendet e tjera, është dukshëm më mirë, për shembull nëse e krahasoni me Evropën Jugore,” tha një statistician suedez.
Në periudhën kur pothuaj të gjithë shtetet e Europës vendosën karantinë të detyruar për banorët e tyre dhe detyruan 90 për qind të bizneseve të mbyllen, Suedia u mjaftua me këshillimin e qytetarëve të saj për të ruajtur distancimin social, higjienën personale dhe për të shmangur sa më tepër daljet e panevojshme.
Megjithëse bizneset kryesisht kanë vijuar punën në Suedi, ekonomia e vendit varet shumë nga eksportet, të cilat u goditën nga mungesa e kërkesës nga jashtë.