Ambasadorja libaneze në Jordani Tracy Chamoun ka dhënë dorëheqjen, pasi nuk do që të jetë më e lidhur me qeverinë e korruptuar të Libanit.
Sipas saj, shpërthimi në portin e Beirutit që i mori jetën 145 personave dhe plagosi më shumë se 10 mijë të tjerë, është ‘qershia mbi tortë’ e korrupsionit të qeverisë.
E ftuar në një emision televiziv, ambasadorja tha se për më shumë se një vit ka heshtur dhe nuk ka mbështetur protestat e qytetarëve kundër qeverisë për shkak të pozicionit, por se ‘tani më në fund është e lirë të shpreh pikëpamjet e saj’.
Gjatë emisionit, ajo u shpreh:
“Për shkak të vjedhjes, korrupsionit, mashtrimeve, asgjë nuk funksionon në këtë vend. Si ambasadore dhe zyrtare publike, nuk mund ta duroj më këtë situatë.
Të gjithë [qeveritarët] duhet të largohen, të gjithë! Ata që kanë qenë në pushtet në të shkuarë, ata që janë tani sepse të gjithë kanë dështuar.”
Ajo vazhdoi më tej duke thënë se, në mënyrë që populli libanez të ecë përpara pas kësaj fatkeqësie, “sistemi i votimit duhet të ndryshohet në përputhje me rrethanat.”
Chamoun dha dorëheqjen por jo përpara se të punonte për të siguruar që Jordani të ndihmonte vendin e saj pas shpërthimit të 4 gushtit.