36 për qind e popullsisë shqiptare, rreth 1,64 milionë shqiptarë, jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave zyrtare të qeverisë shqiptare, të vitit 2019.
Exit News ka shqyrtuar Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2021- 2025, miratuar në korrik 2020, dhe po përmbledh më poshtë të dhënat kryesore të përfshira në të.
— Dy vendet e para për numrin emigrantëve shqiptarë janë Greqia dhe Italia, përkatësisht me rreth 677 mijë dhe rreth 523 mijë emigrantë shqiptarë. Pas tyre vinë SHBA-të me rreth 83 mijë dhe dhe Gjermania me rreth 15 mijë emigrantë.
— Në vitin 2019, numri i shqiptarëve në botë u rrit me 3,6 për qind.
— Në vitin 2019, 83,7 për qind e shqiptarëve emigruan për arsye punësimi, 9 për qind për bashkim familjar, 3,5 për qind për arsye shkollimi, 3,8 përqind arsye të tjera.
— Shqiptarët janë integruar në botë, jo vetëm ekonomikisht por edhe në jetën politike të vendit. Ata kanë një rol të rëndësishëm në politikën vendore, duke garuar dhe zgjedhur në pozicione politike lokale.
— Gjatë vitit 2019, 142 emigrantë shqiptaro-italianë kanë kandiduar në zgjedhjet vendore në Itali, 17 në Belgjikë, 4 në SHBA dhe 2 në Gjermani.
— Nga vitin 2007, remitancat, të ardhurat që emigrantët dërguan në Shqipëri, arritën në 952 milionë eurove, ose mesatarisht 300 euro për person. Më pas ato filluan të bien duke arritur në 500 milionë dollarë në vitin 2013. Ato u rritën sërish në periudhën 2018-2019, duke arritur në 1,45 milionë dollarë, sipas të dhënave të Bankës Botërore.