Autoritetet kineze kanë gjetur një sasi mishi pule, importuar nga Brazili, të kontaminuar me koronavirus.
Sipas CNN, koronavirusi u zbulua, të mërkurën, në një mostër sipërfaqeje të marrë nga krahët e pulës, gjatë ekzaminimit rutinë të ushqimeve të importuara.
Autoritetet shëndetësore të Shenzhenit gjurmuan dhe testuan menjëherë njerëzit që mund të kenë pasur kontakt me produktin, dhe të gjitha rezultatet dolën negative; thuhej në deklaratën zyrtare.
Autoritetet tani po gjurmojnë produktet e lidhura nga e njëjta markë që janë shitur tashmë, si dhe kanë dezinfektuar zonën ku ishin ruajtur krahët e kontaminuar të pulës.
Shoqata Braziliane e Proteinave të Kafshëve (ABPA) tha në një deklaratë se po analizon incidentin dhe përsëriti se “nuk ka asnjë provë shkencore që mishi transmeton virusin”.
“Ende nuk është e qartë kur mishi është kontaminuar, dhe nëse ka ndodhur gjatë procesit të transportimit apo paketimit”, shtoi ABPA.
Po ashtu dhe Organizata Botërore të Shëndetit (OBSH) dhe Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), kanë thënë që mundësia e marrjes së virusit përmes ushqimit është e ulët.