Presidenti Ilir Meta shprehu solidaritetin me gazetaren Beti Njuma të sulmuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj si dhe me të gjithë gazetarët të cilët vendosen nën presion gjatë punës së tyre.
Në një postim në Facebook, Meta i kërkoi gazetarëve të themelojnë një media të re të pavarur në rast se të gjithë pronarët e tyre do të bien pre e presionit qeveritar. Ai shtoi se Bordi Drejtues do të jetë i përbër nga gazetarët, të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë.
“Dua sot të shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik. Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti. Dhe Bordi Drejtues do jetë i përbërë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi.”
Meta ju kërkoi gazetarëve të mos dorëzohen para presionit të pushtetit dhe të vazhdojnë punën e tyre me dinjitet.