Minatorët protestojnë: qeveria na ka harruar, po aksidentohemi e vritemi

Minatorët protestojnë: qeveria na ka harruar, po aksidentohemi e vritemi

Qindra minatorë po protestojnë sot përpara Kryeministrisë, duke kërkuar miratimin e statusit të minatorit dhe kushte më të mira pune.

Ato janë përpjekur të hynë në Kryeministri por janë ndaluar nga policët.

Një ditë pasi një minator humbi jetën në minierën e kromit në Bulqizë, minatorët dhe përfaqësues të sindikatës së tyre akuzojnë qeverinë se i ka braktisur.

“Ka 27 vite që na mashtrojnë si njëra parti dhe tjetra”, u shprehën minanorët.

Minatorët kërkojnë miratimin e statusit të minatorit, që prej vitesh i është premtuar, por që qeveria e rrëzoi në kuvend më 2 shtator.

Protestuesit u shprehën se pavarësisht viteve të shumta të punës, ata ende nuk kanë status që parashikon dhe mbron të drejtat e tyre.

Disa nga kërkesat kryesore të minatorëve janë paga minimale aktuale e tyre të jetë të paktën 70 mijë lekë në muaj, përshkallëzimi i moshës së pensionit, përfitimi i pensioneve për minatorët dhe familjarët e tyre në rast të aksidenteve në punë, rritjen e pensionit dhe uljen e moshës së daljes në pension.

Po ashtu, minatorët kërkojnë të drejtën për të përfituar kontrolle mjekësore falas, e në rast të sëmundjeve profesionale, shteti t’i sigurojë kurimin mjekësor falas.

Minatorët paralajmëruan se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestat do të përshkallëzohen deri në grevë urie.

Aktualisht, punëtorë dhe ish-punëtorë të minierave numërohen rreth 8 mijë persona. Ata njihen si një ndër grupet me jetëgjatësinë më të shkurtër krahasuar me qytetarët e tjerë, si pasojë e punës në kushte të vështira në nëntokë.

Po ashtu, vitin e fundit të paktën tetë minatorë kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë aksidentuar nëpër galeritë e kromit, si pasojë e kushteve të këqija të punës.

Projektligji për statusin e minatorit është propozuar në Kuvend nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, por me shumicë votash, maxhoranca e rrëzoi atë me argumentin se kostot për buxhetin e shtetit ishin shumë të larta.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>