Vetëm 5 kilometra nga bregdeti shqiptar, në detin Adriatik mund të ndërtohet një impiant pluskues gazifikimi me fuqi prodhuese deri në 8 miliardë metër kub gaz që do të lidhet me një gazsjellës që do të furnizojë zonën e Pulias në Itali.
Kjo gjë bëhet e ditur nga gazeta kyresore pulieze La Gazzeta di Mezzogiorno. Në një artikull të botuar në fillim të korrikut shkruhet se Michele Emiliano, Kryetari i Këshillit të Qarkut të Pulias, ka paraqitur në Romë projektin e ndërtimit të një gazsjellësi nënujor nga pjesa shqiptare e detit në Pulia, me qëllim furnizimin me gaz të Italisë. Ky gazsjellës do të përcjellë 4 deri në 8 miliardë metra kub gaz në vit.
Projekti Eagle LNG i kompanisë italiane Gruppo Falcione ka për qëllim përpunimin e gazit të lëngshëm të ardhur nga Katari dhe SHBA-të—kthimin e tij nga gjendje e lëngët në gjendje të gaztë—dhe furnizimin me të të Italisë përmes një gazsjellësi nënujor nga Shqipëria në Brindizit. Në një fazë të dytë gazsjellësi do të lidhet, sërish nëpërmjet tubave nënujorë, me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në projekt shkruhet se infrastruktura e gazsjellësit nuk do të ndërtohet vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit dhe Italinë, me qëllim uljen e importit të gazit nga Rusia, e cila së bashku me Afrikën e Veriut furnizon rreth 80 për qind të tregut ballkanik dhe italian.
Projekti i ndërtimit të infrastrukturës së gazit Eagle LNG konsiston në ndërtimin e një terminali pluskues gazifikimi që do të importojë dhe gazifikojë 4-8 miliardë metër kub gaz në vit, i cili do të lidhet me terminalin tokësor të gazit të ndodhur në një ishull të vetmuar në jug të Brindizit, me një tub me kapacitet 10 miliardë metra kub gaz në vit, me gjatësi 110 kilometra në thellësinë 815 metra nën ujë.
Punimet priten të fillojnë vitin tjetër dhe do të përfundojnë në vitin 2020.
Sipas, faqes zyrtare të kompanisë ndërtuese, ky projekt ka filluar në vitin 2005 nga kompania italiane e ndërtimit Falcione di Campobasso. Kjo e fundit në vitin 2008 nënshkroi një kontratë prej 1 miliardë euro me qeverinë shqiptare për ndërtimin e gazsjellësit. Kryeministri Silvio Berlusconi dhe Kryeminsitri Sali Berisha nënshkruan në po të njëjtin vit një marrëveshje për ndërtimin e terminalit të gazsjellësit në Levan të Fierit dhe ndërtimin e tubacioneve nënujre të përpunimit të gazit të lëngshëm.
Sipas kësaj marrëveshje qeveria shqiptare kishte të drejtën të kërkonte një sasi të caktuar gazin për furnizimin e Termocentralit në Vlorë dhe faciliteteve industriale të ndodhura në Parkun Industrial të Elbasanit. Projekti kishte për detyrë edhe dhënien e trajnimeve për stafin vendas dhe lidhjen e vendit me rrjetin evropian të gazit.