Sot qytetarët shqiptarë ndodhen në pozitën e tyre më të vështirë që ka patur ndonjëherë. Përballimi i diktaturës komuniste ka qënë një sfidë, por qytetarët kanë qenë plotësisht të qartë e të ndërgjegjshëm për atë që mund, e nuk mund të bënin, pasi e dinin mirë vendin e tyrë në shoqëri.
Sot qytetarët shqiptarë vuajnë paqartësinë, pasi nuk e dinë vendin e tyre, fuqinë që kanë dhe për pasojë janë të pasigurtë. Flitet në opinionin publik e mediatik mbi rëndësinë e votës, Kushtetutës dhe të drejtat e tjera themelore, por a i marrin seriozisht, a i besojnë qytetaret këto? Po premtimi i opozitës për ndërhyrjen në Kushtetutë a duhet të merret seriozisht?
Populli shqiptar nuk e di se në referendumin e vitit 1998 për Kushtetutën, ka miratuar edhe nenin 177 pika 1 të saj, sipas të cilës inciativën për rishikimin e kushtetutës e kanë vetëm deputetët por jo qytetarët. Qytetarëve i’u është lënë iniciativa e propozimit të projektligjeve në nenin 81 pika 1 të Kushtetutës me 20 mijë firma.
Pyetja shtrohet, përse kjo iniciativë ligjore nuk vlen për rishikimin e Kushtetutës? Cila ka qënë arsyeja që Kuvendi i kohës që e miratoi këtë Kushtetutë, u hoqi të drejtën qytetarëve për rishikimin e Kushtetutës? Pra, populli shqipëtar ka bërë një referendum të përjetshëm, të cilit nuk ka të drejtë ti kthehet më.
Nëse i kthehemi komenteve mbi faktet kushtetuese e ligjore, lehtësisht rrezikojmë të biem në retorika politike. Megjithatë nuk mund ti shmangemi pyetjes, përse qytetaret shqiptar nuk e gëzojnë në fakt të drejtën e referendumit për cështjet thelbësore të debatueshëm që lidhen me të drejtat dhe interesat e tyre? Kush i pengon ato që të zhvillojnë referendume lokale e kombëtare përballë dilemave e situatave të komplikuara të vendimarrjes për të ardhmen e tyre?
Nëse të gjithë shtetasit shqipëtar bashkëjetojnë në një ekonomi publike, a duhet të pyeten ato për borxhin publik, për vendimarrjet që e cënojnë të ardhëm ekonomike të brezave, për efikasitetin e përdorimit të burimeve natyrore kombëtare e të tjera si këto? Dikush do të justifikonte këtë mungesë me faktin se zgjedhësi shqiptarë, këto të drejta i’a delegon deputetit të zgjedhur me të cilin ai ka një kontratë, por me këtë kontratë 4 vjecare a mund të vendosi ai për të ardhmen e brezave?
Padashur të bie në retorika politike, cështja shtrohet, kjo e ashtëquajtuara kontratë me deputetin, a ka mekanizma që sigurojnë kontrollin e zbatimit të saj në praktitë?A ka mekanizma që zgjedhësi që i jep votën deputetit, të reagojë në mënyrë efektive rast pas rasti? A është kjo një kontratë ku palët janë të barabarta?
Përgjigjen e këtyre pyetjeve e dinë të gjithë. Është mekanizmi zgjedhor, niveli i demokracisë në subjektet garuese dhe padyshim funskionimi i shtetit ligjor dhe standarti i zhvillimit të shoqërisë, të cilat e bëjnë këtë kontratë formale dhe aspak eficente. Nëse kuptojmë dhe pranojmë sa u tha më sipër, mund të shpjegohet fuqia e liderëve dhe lidershipit politik mbi qytetarët. Nga përgjegjshmëria e tyrë, varet e ardhmja e ne të gjithëve.
Është ky lidership që praktikisht përcakton se c’është e mirë dhe c’është e keqe, c’është e ndershme dhe c’është përverse, c’është e dobishme dhe c’është e dëmshme, c’është e moralshme dhe c’është e pamoralshme, c’është e drejtë dhe c’është kriminale. Pra ata në këtë fuqi kontrollojnë jo vetëm lirinë dhe të drejtat tona, por edhe emocionet edhe marrëdhëniet ndërshoqërore e ndërfamiljare.
Është për të ardhur keq që në momente të caktuara, kur ky lidership ballafaqohet ose vihet me shpatulla pas muri përballë fakteve të pashmangshme, atëherë përdoret formula magjike e shpëtimit, të gjithë jemi njëlloj duke nënkuptuar dy anët e medaljes morale, imorale, kriminele e të ndershme, por më të mirë se ne, nuk ka.
Kësaj i thonë që moralin publik ta rrëzosh përtok, ta shkelësh me këmbë dhe të tallesh me dinjitetin dhe personalitetin e qytetarit dhe popullit shqiptar që i ka ngritur ato me mundime e sakrifica ndër shekuj.
Jo vetëm për shkak të njohjes personale, por edhe për shkak të origjinës dhe historisë së formimit të tij, besoj tek z. Basha. Së pari është i pari lider i rëndësishëm, i formuar në demokraci, madje i edukuar, i shkolluar në perëndim. Së dyti vjen nga një familje normale qytetare, pa histori eksesi e perversiteti. Së treti, ka një komunikim normal njerëzorë nëpërmjet të cilit jep mesazhin se i do njerëzit, nuk i neverit dhe nuk i përbuz pavarësisht nga statusi i tyre.
Megjithatë unë i kërkoj z. Basha që iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës të mos e përdor si retorikë politike për të goditur kundërshtarin, por ta marrë përsipër si një objektiv politik të qenësishëm e të rëndësishëm, duke i premtuar popullit që do ti kthejë të drejtën e referendumit, qoftë edhe për rishikimin e Kushtetutës, që të siguroi mekanizma kushtetues, që kontratën mes zgjedhësit e të zgjedhurit ta bëjë fleksibël madje dhe të anullueshëm.
Jam i bindur se, nëse popullit i premtohet qartazi kthimi i fuqisë së tij për vendimarrjen për veten e tij, atëherë objektivi politik do të jetë i suksesshëm.