A është aksion PR-i kërcënimi i pretenduar ndaj Ministrit Tahiri?

A është aksion PR-i kërcënimi i pretenduar ndaj Ministrit Tahiri?

Shumë media kanë raportuar sot se Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka marrë një email anonim kërcënues ndaj Shqipërisë. Mesazhi bën referencë dhe kërcënon për sulme të ngjashme me ato të mbrëmshmet në Paris. “Tani e keni rradhën ju,” shkruhet në mesazh, duke shtuar se  “tani filloi lufta e shenjtë kundër atyre që janë përfshirë në luftën kundër shtetit islamik”.

Mesazhi është dërguar nga një adresë gmaili-i me emër “brigadatkuqe” në adresën po në gmail të Zotit Tahiri. Mediat kanë botuar një imazh të mesazhit nga ekrani i dikujt të cilit i është ridrejtuar mesazhi nga adresa e Zotit Tahiri.

Megjithatë, kjo histori duket se ka disa pikëpyetje që venë në dyshim vërtetësinë e saj.

Së pari, është e çuditshme që Ministria e Brendëshme nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare edhe pse lajmi është mbuluar gjerësisht në media. Aq më shumë e pakuptueshëm bëhet kjo heshtje kur emaili mund të ketë rrjedhur vetëm nga Ministri Tahiri apo dikush shumë i afërt me të.

Së dyti, është e çuditshme si ka mundësi që brenda më pak se tre orësh nga momenti i marrjes së emailit, imazhi i fotografuar i mesazhit në ekranin e kompjuterit (të dikujt të cilit Zoti Tahiri i ka ridrejtuar mesazhin) të botohet në shumë faqe mediash online. Mesazhi nga Zoti Tahiri është marrë në orën 10:44, ndërsa ka qënë i botuar online që në orën 13:30.

Së treti, nëse emailin nuk e ka rrjedhur vetë Ministri, atëhere dyshimi kryesor bie mbi ndonjë person të cilit Zoti Tahiri i ka ridrejtuar emailin kërcënues. Është e vështirë të besohet se një person i tillë të bëjë një veprim të tillë kur mund të identifikohet lehtë.

Së katërti, është e vështirë të besohet se ky person i besuar i Zotit Tahiri të dojë të dëmtojë hetimin duke dekonspiruar emailin.

Së fundi, gjuha e përkorë në një shqipe të pastër letrare duket e çuditshëm për një kërcënim të tillë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>