Kryebashkiaku Erion Veliaj drejtoi, përpara një jave, një protestë përpara Gjykatës Administrative, e cila pritej të shqyrtonte kërkesën e tij për anullimin e lejes së ndërtimit të pallateve nën digën e Liqenit Artificial. Protestuesit, më së shumti punonjës të Bashkisë Tiranë, militantë dhe drejtues socialistë, hodhën parrulla kundër gjykatësve dhe i kërcënuan ata me reformën në drejtësi.
Ky veprim i Zotit Veliaj ngjalli kritika nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nga Unioni i Gjykatësve dhe shumë vëzhgues politikë, të cilët e konsideruan veprimin e Kryebashkiakut presion ndaj gjykatësve dhe, për rrjedhojë, joetik dhe të paligjshëm.
Në mbështetje të Kryebashkiakut Veliaj doli menjëherë Kryeministri Edi Rama, i cili veprimin e Zotit Veliaj e justifikoi duke përdorur një paralelizëm me Amerikën:
“Dikush t’u tregojë shejtanbudallenjve ndonjë pamje nga manifestimet e panumërta të guvernatorëve e të bashkiakëve para gjykatave amerikane!”
Të njejtën linjë mbrojtje, justifikimin me Amerikën, zgjodhi edhe vete Zoti Veliaj. I ftuar dje në emisionin e gazetares Eni Vasili, Zoti Veliaj deklaroi:
“Në Amerikë kongresmenë, senatorë protestojnë para gjykatave. Sot Presidenti i Amerikës është në protestë.”
Por, a janë të vërteta këto pretendime të Kryeministrit Rama dhe Kryebashkiakut Veliaj?
Presidenti i SHBA-ve duke protestuar para një gjykate është një veprim që as nuk mund të imagjinohet. Asnjë herë në historinë e SHBA-ve, të paktën në historinë moderne të tyre, nuk ka patur ndonjë rast ku Presidenti të ketë protestuar para gjykatave. Një veprim i tillë do të konsiderohej shkelje e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe shkelje kushtetuese që, me gjasa, do ta vendoste presidentin amerikan përballë mundësisë së shkarkimit të tij nga Kongresi.
“Protesta” aktuale e Presidentit të SHBA-ve, të cilës iu referua mbrëmë Zoti Veliaj, në fakt, nuk është protestë dhe nuk ka lidhje me sistemin gjyqësor në vetvete, por është një përplasje midis Presidentit Obama dhe Senatit të kontrolluar nga republikanët për plotësimin e vendit bosh në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve, pas vdekjes së anëtarit Antonin Scalia.
Nga ana tjetër, në historinë moderne të SHBA-ve, të paktën në 3-4 dekadat e fundit, nuk ka asnjë rast ku një guvernator shteti, senator apo kryetar bashkie të ketë marrë pjesë në protesta përpara ndonjë gjykatë, aq më pak në rastet kur ata vetë janë një ndër palët në gjykim.
Nëse ndonjë guvernator apo senator do t’u bënte thirrje qytetarëve për të protestuar përpara gjykatave, për të bërë presion në vendim-marrjen e tyre, sikurse bëri Zoti Veliaj, ky veprim do të ishte vetëvrasje politike për ta.
Prandaj, ndryshe nga sa pretendojnë zotërinjtë Rama dhe Veliaj, në SHBA drejtuesit e lartë politikë nuk protestojnë para gjykatave.
Në fakt protestimi para gjykatave është një çështje delikate në SHBA, pasi ajo përplas dy të drejta apo përcaktime kushtetuese: nga njëra anë, lirinë e shprehjes së qytetarëve të garantuar nga Amandamenti i Parë i Kushtetutës, dhe nga ana tjetër, pavarësinë e pushtetit gjyqësor të garantuar gjithashtu nga Kushtetuta.
Për rastin e Gjykatës së Lartë Amerikane, ky konflikt interesash është zgjidhur me ligj: një ligj i vitit 1949 ndalon demonstrimet e çfarëdo lloji—përfshi paradat, qëndrimin apo lëvizjen, si dhe shpalosjen e flamujve, pankartave apo pajisjeve që synojnë identifikimin publik të ndonjë partie, organizate apo lëvizje—në territorin e Gjykatës, përfshi sheshin para saj, me arsyetimin se protestat në pragun e gjykatave çojnë në perceptimin se gjykatësit ndikohen nga mendimi i njerëzve dhe jo nga ajo që dikton ligji.
Në mënyrë ironike, dje, ndërsa Zoti Veliaj keqinformonte për protestat politike para gjykatave në SHBA, Gjykata e Lartë e SHBA-ve hodhi poshtë një kërkesë për shfuqizimin e, pikërisht, këtij ligji që ndalon protestat në oborrin para saj.