Sot pritet të vijnë në Tiranë dy negociatorët evropianë David McAllister dhe Knut Fleckenstein. Në përgjigje të kërkesës së Qeverisë Rama-Meta për ndërhyrjen e Partive Popullore Evropiane, negociatorët do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës në lidhje me zgjedhjet dhe bojkotin e parlamentit.
Ndërsa David McAllister është zëvendëpresidenti i Partive Popullore Evropiane – pjesë e së cilave është dhe Partia Demokratike, kolegu i tij Knut Fleckenstein është pjesë e PASD-së, partisë më të madhe të së majtës në Parlamentin Evropian, parti kjo e lidhur me Partinë Socialiste të Kryeministrit Rama.
Ndryshe nga David McAllister, Knut Fleckenstein ka lidhje të forta me Shqipërinë, duke qenë raportues për Shqipërinë në Komisionin Evropian dhe hartues i Progres – Raportit të vitit 2016. Siç Exit ka shpjeguar më parë, draftraporti i shkuar nga Fleckenstein ishte shumë më pozitiv në lidhje me arritjet e qeverisë Rama në krahasim me raportin përfundimtar të miratuar nga Parlamenti Evropian, që dukshëm kritikonte disa nga qëndrimet e qeverisë.
Ndërsa raporti fillestar i Fleckenstein përfshinte vetëm zbatimit të reformës në drejtësi si kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, raporti përfundimtar kërkonte “zbatimin e plotë dhe në kohë të reformave mbi të pesë prioritetet kyçe”, ku theksohej dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme . Raporti përfundimtar, në kundërshtim me draftin fillestar të Fleckenstein, gjithashtu përmendte përparimin në “luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” së bashku me zbatimin e reformës gjyqësore.
Këndvështrimi i Knut fleckenstein është mbështetur vazhdimisht nga Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, ndërsa raporti përfundimtar ka qenë në të njëjtën linjë me qendrimin e Bundestagut gjerman dhe Kancelares Merkel.
Të dyja kushtet “zgjedhjet e lira dhe të ndershme” dhe “lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” janë pikat kryesore të protestës së opozitës, kryesuar nga udhëheqësi i PD Lulzim Basha. Pozicioni i Fleckenstein për të dyja është shprehur në progres-raportin e tij. Për të, të dyja këto çështje nuk janë aq të rëndësishëm sa reforma në drejtësi dhe kryeministri Rama tashmë ka pohuar se ai do të jetë i gatshëm të zbatojë reformën edhe nëse opozita vazhdon bojkotin e zgjedhjeve dhe parlamentit.
Për më tepër, dy muaj më parë Fleckenstein deklaroi publikisht:
“Dialogu duhet të ndodhë në Parlament. Unë nuk po negocioj për protestën.”
Tani Fleckenstein do të arrijë pikërisht për të “negociuar rreth protestës”. Duket se çdo marrëveshje tjetër që mund të arrihet sot dhe që nuk përfshin “dorëzimin e plotë të opozitës” do të binte ndesh me idetë e tij rreth drejtimit të vendit, gjë që çon në pyetjen: A mundet Fleckenstein të jetë një negociator i besueshëm?