A po përgatitet Veliaj të ndërtojë inceneratorin e mbetjeve në Tiranë?

A po përgatitet Veliaj të ndërtojë inceneratorin e mbetjeve në Tiranë?

Këshilli Bashkiak Tiranë miratoi sot kalimin e vendimmarrjes nga Këshilli Bashkiak tek Kryetari i Bashkisë për kompaninë EcoTirana, shoqëria aksionare që  menaxhon mbledhjen e plehrave në Tiranë.

Tani kryebashkiaku Erion Veliaj do të marrë çdo vendim mbi EcoTirana—përfshi aktivitetin, shpenzimet dhe investimet e kompanisë— pa patur nevojë të konsultohet apo të bëjë transparencë përpara Këshillit Bashkiak.

Këshilli ka lejuar, gjithashtu, EcoTiranën ta shtrijë aktivitetin e saj në gjithë vendin e jo vetëm në qarkun e Tiranës, siç ishte më parë.

Historiku i EcoTirana

Në qershor të 2016, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj krijoi një kompani të përbashkët mes Bashkisë dhe ndërmarrjes komunale të Bashkisë së Veronës me objekt mbledhjen e plehrave dhe mbetjeve të Tiranës.

Për këtë qëllim, në qershor 2016 u formua kompania EcoTirana, me kapital fillestar një milionë euro, me ortakë 51 për qind Bashkinë Tiranë dhe 49 për qind kompaninë italiane AGMS Holding, kjo e fundit në pronësi të AGSM dhe AMIA, dy ndërmarrje bashkiake të kontrolluara nga Bashkia e Veronës.

Duke qenë se Bashkia Tiranë është aksioneri i shumicës dhe vendimmarrja e saj nuk do të bëhet më nga Këshilli Bashkiak por kryebashkiaku, do të thotë se Zoti Veliaj do të jetë praktikisht vendimmarrësi i vetëm i EcoTirana.

Në statutin e Eco Tirana parashikohet se veprimtaria e saj është:

  1. Mbledhja, transporti, ndërmjetësimi dhe tregtimi i mbetjeve dhe mmaterialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë dhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike.
  2. Ndërtimi dhe menaxhimi dhe për llogari të palëve të treta të impianteve për rikuperimin, riciklimin dhe asgjesimin e mbetjeve,
  3. Rehabilitimi i zonave nga substancat ndotëse
  4. Riparimi i automjeteve.

A është bërë kjo manovër për ndërtimin e një incineratori?

Mbledhja e Këshillit Bashkiak, e planifikuar për të filluar në orën 11 të paradites së sotme, nuk nisi në orar për shkak se në sallë nuk ishin mjaftueshëm këshilltarë për të plotësuar kuorumin për fillimin e mbledhjes.

Pas nisjes 1 orë vonesë, burime për Exit.al u shprehen se këshilltarët demokratë braktisën sallën kur kanë parë se në rendin e ditës bënte pjesë dhe projektvendimi për kalimin e kompetencave nga Këshilli tek Kryetari për EcoTiranën.

Mëgjithëse këshilltarët e djathtë janë larguar, kanë mjaftuar votat e PS e LSI për të miratuar vendimin që de facto i jep dorë të lirë Zotit Veliaj për të drejtuar EcoTiranën pa asnjë mbikqyrje dhe llogaridhënie.

Vendimi i jep kompanisë Eco Tirana të drejtën të konkurrojë në tenderat e mbledhjes së mbeturinave edhe në qytetet e tjera të vendit, duke e kthyer këtë kompani në një biznes praktikisht ekstra bashkiak.

Por ajo që e bën vendimin akoma edhe më dyshues është pika dy e statutit, e cila shprehet se kompania mund të ndërtojë dhe menaxhojë edhe për llogari të palëve të treta impianteve për asgjësimin e mbetjeve. Edhe pse termi i përdorur është i përgjithshëm në fakt bëhet fjalë për djegjen e plehrave.

Kjo do të thotë që tani Krybashkiaku Veliaj mund të vendosë që të ndërtojë impiante për djegjen e plehrave (incineratorë) pa marrë pëlqimin e askujt.

Zoti Veliaj ka përgatitur një projekt për ndërtimin e një incinerator në Tiranë por këshilli Bashkiak nuk arriti ta miratojë këtë gjë në mbledhjen e tij të fundit, për shkak se shumica nuk i kishte të gjitha votat e nevojshme pro vendimit.

Vendimi i këshillit bashkiak tashmë i jep të drejtë Zotit Veliaj që të ndërtojë incineratorin pa asnjë lloj transparence dhe pa përfshirë askënd në këtë vendim-marrje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>