Duket se shumica është përçarë në lidhje me reformën në drejtësi. LSI-ja ka vendosur të votojë vetëm një reformë e cila mbështetet bashkarisht nga PS dhe PD.
“LSI është e gatshme të votojë çdo refomë PS-PD, mjaft që të jetë me konsesus,” – pohoi, sot, Kryetari i LSI-së Ilir Meta pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij.
Në mënyrë domethënëse Zoti Meta ka theksuar gjthashtu se: “LSI do të votojë çdo refromë sipas standarteve të Venecias.”
Kjo deklaratë e afron Zotin Meta me qëndrimin zyrtar të PD-së, e cila për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për reformën në drejtësi kërkon zbatimin e rekomandimeve të Venecias.
Gjithashtu, edhe pas takimeve të ditëve të fundit me Kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe Kryeministrin Rama, Zoti Meta deklaroi se:
“Qëndra e gravitetit të konsensusit për reformën në drejtësi është Komisioni i Venecias”
Nga ana tjetër, Zoti Meta duket se po pozicionohet në sytë e publikut dhe ndërkombëtarëve si “ndërmjetës” i domosdoshëm për të nxjerrë politikën nga situata e tanishme konfliktuale. Këtë rol të tij ai po përpiqet ta justifikojë duke u shprehur se:
“Jam i çuditur që kjo çështje nuk është zgjidhur. Nuk jam angazhuar sepse e mendoja të zgjidhur.”